Kanbera, 22 janar – Banorët në disa zona të kryeqytetit të Australisë, Kanbera, sot u evakuuan pasi zjarret pyjore shpërthyen në afërsi të aeroportit.
Pas freskimit disaditor, sërish janë regjistruar temperatura të larta, ndërsa është rritur edhe numri i epidemive të pakontrolluara në juglindje të vendit.
Rrugët janë mbyllur, ndërsa autoritetet po i këshillojnë qytetarët të largohen ose të qëndrojnë larg periferisë në lindje të Kanberas. Nuk ka të dhëna për viktima ose dëme materiale.
Në javët e fundit në Kanbera, Sidnei dhe Melburn, cilësia e ajrit është më e keqja në botë, për shkak të reve të dendura të tymit nga zjarret.
Nga shtatori në të gjithë Australinë ka pasur qindra zjarre, gjatë të cilave e humbën jetën 29 persona dhe rreth 1 miliardë kafshë, ndërsa u shkatërruan rreth 2.500 shtëpi.
Zjarrfikësit e shfrytëzuan shiun dhe temperaturat më të ulëta gjatë shtatë ditëve të kaluara për t’i vënë nën kontroll disa zjarre.
Sipas ekonomistëve, zjarret mund të shkaktojnë dëme në ekonominë australiane prej 5 miliardë dollarësh (3,4 miliardë dollarë amerikanë).