Zejnulla VESELI
Shkup, 17 shkurt – Nëse para dy viteve qytetarët e Maqedonisë për të gjetur financa shtesë për të siguruar mirëqenie familjes së tyre e gjenin të marrja e kredive nëpër bankat komerciale, vitin e fundit për shkak të pamundësive financiare për të kthyer kreditë e vjetra tani qytetarët po u drejtohen disa institucioneve mikro financiare që ofrojnë kredi me vlerave të ulta prej 100 euro deri më 1500 euro, me afat kthimi brenda një muaji e deri më 8 muaj, shkruan gazeta KOHA.
Ky aktivitet i institucioneve mikro financiare brenda një viti, sipas ekspertëve ekonomikë, është rritur shumë për shkak se qytetarët detyrohen të gjejnë alternativa tjera se si të vijnë deri të parat e reja për pak kohë duke mos pyetur se sa të shtrenjta janë këto kredi të cilat dita ditës në Maqedoni vetëm se shtohen.
Arsyeja kryesore se pse qytetarët shpëtimin e gjejnë tek këto institucione mikro financiare, sipas ekspertit ekonomik Pavle Gacov, është për shkak tkurrjes së kredidhënieve nga bankat komerciale, si pasoje e përkeqësimit të kthimit të kredive të marra nga një numër i madh i qytetarëve. Gacov është i mendimit se është koha që shteti të mendon për miratimin e një ligji për falimentim personal, sepse aftësia paguese e kredive nga na e qytetarëve dita ditës vetëm se po përkeqësohet.
PAGA MUJORE NUK PËRKON ME SHPENZIMET MUJORE
“Kriza e rëndë ekonomike në Maqedoni pesë vitet e fundit rëndë ka prekur të ardhurat e qytetarëve dhe tani ata nuk kanë para për të kthyer kreditë. Kjo situatë bënë që shumë qytetarë të futen në kredi të reja edhe pse kanë të ardhura të ulta mujore që do të thotë se paga e tyre mujore e tyre aspak nuk përkon me shpenzimet mujore të planifikuara”, thotë Gacov.
Në një pamundësi për gjetjen e alternativave tjera për të gjetur para plotësuese jashtë rrogës mujore për të kthyer kreditë e vjetra, bankat komerciale po i detyrojnë qytetarët drejt institucioneve mikro financiare që japin kredi me kamata dy herë më të larta se bankat apo të marrin hua nga fajdexhinjtë.
“Ka situata kur njerëzit nuk mund të paguajnë kreditë , sepse atyre shpesh u ndodhë që me pagën mujore që marrin nuk arrijnë të sigurojnë gjërat elementare për mbijetesë të familjes. Prandaj mendoj se është koha që shteti të fillojë të mendojë për një ligj mbi falimentimin personal. Në vendet zhvilluara falimentimi personal është një gjë e zakonshme, sepse nëse një qytetar dështon në kthimit e kredive kjo për debitorin është një dështim i vogël. Nëse një qytetar do të shpallte bankrot personal në përputhje me ligjin atëherë kreditori nuk mund të paguajë as një borxh të qytetarët. Kështu qytetari i cili shpall bankrot personal mund të mbledhë një përqindje të caktuar ta parave dhe të paguan borxhet e vjetra”, thotë Pavle Gacov, ekspert ekonomik.
KUR FAJDET ZËVENDËSOJNË KREDITË!
Eksperti për çështje ekonomike Sinisha Pekevski, për gazetën KOHA thotë se mungesa e kulturës dhe e vetëdijes qytetare për arsyen e marrjes së kredisë dhe mungesa e menaxhimit të mirë të parasë, shpesh i vë në vështirësi familjet për kthimin e kredive.
“Në kushte normale, qytetarët përmes kredive gjejnë financim për diçka, që në fakt, në rrethana të tjera e kanë pasur të pamundur. Kjo i bënë ata shpesh të futen në spiralen e marrjes së kredive të reja dhe aq lehtë mund t’i kthejnë kredit dhe si opsion tjetër të vetëm e kanë marrjen e kredive të reja nga institucionet mikro financiare me kamata dy herë më larta se bankat komerciale apo nga fajdexhinjtë, që të kthejnë kreditë e vjetra. Pastaj ofertat e shumta të bankave për kredi konsumatore me kamata të ulta mundësoi ekspanzimin e qytetarëve të marrin këtë lloj kredie pa pasur plan se a do mundet në kohë t’i kthejë këstet e kredive me pagat mujore që ata marrin. Mendoj se para se shteti të intervenon dhe të sjelle ligj për bankrot personal më se e nevojshme është edukimi financiar i qytetarëve sepse mungesa e kulturës dhe e vetëdijes qytetare për arsyen e marrjes së kredisë dhe mungesa e menaxhimit të mirë të parasë shpesh i vë në vështirësi familjet për kthimin e kredive”, thotë Sinisha Pekevski, ekspert ekonomik.
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Maqedonisë vitin e kaluar qytetarët përmes kredive bankare kanë borxh 200 milionë euro, kurse për mbulim të minusit duhet të llogarisë 96 milionë euro. Shikuar sipas llojeve të kredive vitin e kaluar, qytetarët kryesisht kanë marrë kredi konsumatore me vlerë mbi 1.8 miliard euro dhe kredi për banim rreth gjysmë miliardë euro. Interesi për kredi për makina është më i dobët, ku shuma e përgjithshme vitin e kaluar ishte 10 milionë euro. (koha.mk)