Bankat, vatra të infeksionit!

53

Si shtet dukshëm ngecim pas nivelit të Evropës ku mbi 50 për qind e qytetarëve shfrytëzojnë shërbimet e bankave përmes internetit, dhe shfrytëzojnë mënyrat më të thjeshta për pagesat, ju ikin tollovive dhe pritjes rend para sporteleve të bankave

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 2 korrik – Lëshimi i kartelave për ndihmë shtetërore, marrja e pensioneve dhe pagesat e ndryshme kanë shtuar në javët e fundit radhët para bankave në vend. Krijimi i tollovive në kushte të pandemisë dhe mundësia e zgjerimit të infeksionit ka ngritur edhe shqetësimin në opinion për lehtësimin e kryerjes së obligimeve të ndryshme nëpër banka. Edhe përkundër lëvizjeve të caktuara, megjithatë si shtet arrijmë tetë për qind të shfrytëzimit të shërbimeve të bankave përmes internetit. Me fjalë të tjera, dukshëm po ngecim pas nivelit të Evropës ku mbi 50 për qind e qytetarëve shfrytëzojnë shërbimet e bankave përmes internetit, dhe shfrytëzojnë mënyrat më të thjeshta për pagesat , ju ikin tollovive, pritjes rend para sporteleve të bankave dhe shfrytëzimit të ‘keshit’ apo parave të gatshme.

Ekspertët ekonomik thonë se bankat duhet angazhojnë personel përkatës për mbajtjen e distancës sociale si dhe për popullarizimin e përdorimit të kartelave nëpër bankomate me qëllim të evitimit të grumbullimit të njerëzve para bankave. “Të gjithë bankat në nivel vendi nevojitet që ti kushtojnë një kujdes më të madh mbajtjes së distancës prej 15 deri 2 metra midis klientëve kur presin në radhë për të kryer ndonjë punë në bankë, për shkak se po vërejmë se shpesh nuk respektohet një protokoll i tillë i sigurisë. Njëherësh nevojitet që në trekëndëshin bankat komerciale, Ministria e Financave dhe Banka Qendrore të ketë një angazhim më të madh për përdorimin e kartelave për pagesat e ndryshme në bankomat që jo domosdoshmërisht duhet të kryhen nëpër sportelet e bankave”, thotë profesori universitetar, Neritan Turkeshi. Sipas tij, të gjithë klientëve të bankave dhe sidomos pensionistëve duhet tu ofrohen më shumë informacione lidhur me mënyrën e përdorimit të kartelave bankare, nevojitet më shumë të promovohet në opinion edhe përdorimi i kartelave dhe jo ‘keshit’.

“Në të ardhmen do të ishte mirë të mendohet për një fushatë gjithëpërfshirës të rritjes së informimit të qytetarëve sidomos të moshës së tretë për benefitet e përdorimit të kartelave, për sigurinë e përdorimit të tyre, të stimulimit të përdorimit të kartelave qoftë edhe përmes lojërave të ndryshme shpërblyese apo përmes mënyrave të tjera që do të shtyjnë qytetarët që më shumë të përdorin kartelat bankiere”, shton më tej Turkeshi. Ai vlerëson se vështirë se mund të krahasohemi me Gjermaninë ku me 80 për qind po përdoren kartelat bankiere, mirëpo shton se mbetet një detyrim edhe i qeverisë dhe të gjithë institucioneve përkatëse që për çdo vit të rrisin me një përqindje të caktuar përdorimin e shërbimeve elektronike të bankave.

Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë kumtuan se të gjitha bankat në shtet janë të inkuadruara në projektin “Blej vendore”, që në javët e ardhshme duhet të përgatisin mbi 300 mijë kartela pagesore, janë të përkushtuara për realizimin e saj dhe ndërmarrin masa për mbrojtjen e shëndetit publik. Përgjatë krizës korona bankat në mënyrë të vazhdueshme kanë ndërmarrë aktivitete për mbrojtjen e klientëve , përfshi edhe vizitën e filialeve dhe ekspoziturave. Njëherësh çdo bankë si pjesëmarrëse e projektit lëshojnë porosi për kohën dhe datën e marrjes së kartelës për çdo klient. Mund të shfrytëzohen edhe vebfaqet edhe qendrat e kontaktit, andaj edhe ardhja në banka nuk është e domosdoshme.

Shoqata vendore e bankave porositi se edhe në periudhën e ardhshme do të jenë të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve përkatëse në mënyrën e punës, me qëllim që kriza korona të ketë sa më pak pasoja , ndërsa bankat të kontribuojnë për rikuperimin sa më të shpejtë të ekonomisë.

Ndryshe të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se në muajt e fundit si rrjedhojë e pandemisë po shënohet rritje e pagesave online. Në tre muajt e parë të këtij viti, pagesat e qytetarëve dhe bizneseve me shfrytëzimin e transfereve kreditore dhe kartelave pagesore shënojnë rritje vjetore prej 15.2 për qind dhe rritje të 5.8 për qind të vlerës së transaksioneve të realizuara. Megjithatë në total, vendi ngadalë po lëviz nga statistikat e ulëta të vitit 2018 kur vetëm tetë për qind e qytetarëve kanë shfrytëzuar shërbimet elektronike të Bankave. Me këto shifra si shtet jemi para Malit të zi me 4 për qind, Bullgarisë me 5 për qind dhe Rumanisë me 7 për qind. Në Evropë prijnë Danimarka me 90 për qind të qytetarëve të moshës 16 deri 74 për qind që shfrytëzojnë bankën online, Holanda me 89 për qind, Finlanda me 87 dhe Suedia me 86 për qind. (koha.mk)

Comments are closed.