Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 mars – Bankat në Maqedoni vite me radhë renditen ndër bizneset më profitabile që realizojnë fitime të mëdha, për dallim prej shumicës së kompanive që luftojnë për mbijetesë, të paguajnë pagat dhe detyrimet e tyre dhe të kenë para të gatshme apo likuiditet në punën e tyre, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në vitin 2015, nga 70 mijë firma aktive në vend, 25.951 kanë punuar me humbje. Krahas bankave, ndër bizneset më fitimprurëse në Maqedoni llogariten edhe ato të telekomunikacionit, sigurimeve duhanit, ndërtimit, lojërave të fatit e kështu me radhë. Në ndërkohë, raportet e rregullta financiare vjetore, tregojnë se vetëm tre bankat më të mëdha në vend, Stopanska, Komercijalna dhe NLB, në vitin e kaluar kanë realizuar fitim të përgjithshëm prej 74 milionë euro. Për rritjen e madhe të fitimit të bankave në dhjetë vitet e fundit flet edhe fakti se ai është trefishuar prej vitit 2006, kur fitimi i tërë sektorit bankar ka qenë 23 milionë euro.
Ekonomistët thonë se rritja e madhe e kreditimit prej më shumë se një miliardë euro në emër të kredive banesore dhe afër 600 milionë euro të kredive banesore që kanë shënuar trend në rritje në dhjetë vitet e fundit, kanë sjellë edhe fitime nga kamatat. Gjithashtu edhe fitimet nga kompensimet apo provizionet, por edhe investimet e bankave në letrat shtetërore me vlerë dhe bonot e thesarit, renditen ndër shkaqet kryesore të fitimeve kaq të mëdha të bankave. Nga ana tjetër, qytetarët, të ballafaquar me pagat e ulëta, që vështirë mbulojnë harxhimet mujore, janë të detyruar të hyjnë në borxh për kredi konsumatore apo banesore, minuse në kartelat kreditore apo llogaritë rrjedhëse. Rritja e vazhdueshme e huazimeve ka rritur borxhet e qytetarëve në mbi 2 miliardë euro, për të cilat bankat paguajnë kamatat të larta, sidomos për minuset në llogaritë rrjedhëse dhe kartelat. Ndër produktet më të shtrenjta të bankave janë kreditë banesore të cilat në fund i paguajmë me gati dyfishin e shumës fillestare të kredisë, së bashku me kamatat.
Gjithashtu të ardhura të rëndësishme, bankat realizojnë prej neto të ardhurave të kamatave, gjegjësisht dallimit midis kamatave të kredive që miratohen dhe kursimeve që ju paguhen qytetarëve. Të ardhura të rëndësishme fitohen edhe prej kompensimeve dhe provizioneve të ndryshme, ndërsa një pjesë e fitimeve realizohet edhe prej dallimit të kursit devizor. Nga ana tjetër, bankat harxhojnë një pjesë të fitimit edhe për të mbuluar pagat e të punësuarve, për rezervimin e kredive të këqija, ose humbjet për shkak të dëmtimit gjegjësisht përmirësimit të vlerës së mjeteve financiare. Raportet e rregullta financiare të tyre tregojnë se tre bankat më të mëdha në vend, Stopanska, Komercijalna dhe NLB në vitin e kaluar kanë realizuar fitim të përgjithshëm prej 74 milionë euro. Kjo paraqet fitimin tre herë më të madh se fitimi i tërë sektorit bankar që në vitin 2006 ka realizuar fitim prej 23 milionë euro. Prej këtij totali të fitimi, gati gjysma apo 36.5 milionë euro ka realizuar Stopanska Banka. Rezultate mjaft të mira shënon edhe Tutunska Banka me 25 milionë euro fitim që është për 90 për qind më shumë se në vitin 2015-ën. Banka Komerciale në vitin e kaluar realizoi fitim prej 779.4 milionë denarë, gjegjësisht 12.8 milionë euro që është rritje e madhe në raport me 525.1 milionë denarë fitim të realizuar neto në vitin 2015. Stopanska Banka në vitin e kaluar realizoi fitime prej 2.2 miliardë denarë apo afër 36.5 milionë euro, që është rritje për më shumë se pesë milionë euro në raport me vitin 2015, kur u realizuan 31 milionë euro fitime. Stopanska Banka ka realizuar fitim para tatimit prej 2.503.721 mijë denarë, që si shumë është më e lartë se afër 17 për qind në raport me vitin paraprak. Neto të ardhurat nga kamatat janë 3.637.117 mijë denarë dhe janë për afër 8 për qind më shumë se viti paraprak si rrjedhojë e rritjes së numrit të kredive. Nga provizionet dhe kompensimet janë fituar 1.052.579 mijë denarë.
Neto fitimi i NLB Bankës ishte 1.5 miliardë denarë apo 25.7 milionë euro dhe është për 90 për qind më i lartë se në vitin 2015. Tutunska Banka në vitin e kaluar realizoi fitim neto prej 1.579.295 mijë denarë që është për 89,8 për qind më shumë se në vitin 2015. Neto të ardhurat nga kamatat janë më të larta për 12.2 për qind se në vitin paraprak, ndërsa neto të ardhurat nga provizionet për një vit janë rritur për 2.8 për qind. Banka Komerciale në vitin e kaluar realizoi fitim prej 779.4 milionë denarë, gjegjësisht 12.8 milionë euro që është rritje e madhe në raport me 525.1 milionë denarë fitim të realizuara neto në vitin 2015. Banka Komerciale në emër të provizioneve dhe të kompensimeve ka fituar 864,3 milionë denarë, ndërsa neto të ardhurat prej dallimeve të kursit janë 133 milionë denarë. Të ardhurat e tjera të bankës në vitin e kaluar janë 552 milionë denarë dhe shënojnë rritje prej 66 për qind, si rezultat i kërkesave të anuluara që më parë dhe shitjes së pronave në emër të vonesës së kërkesave tregojnë raportet financiare të bankës. Edhe shumica e bankave të tjera në Maqedoni kanë shënuar rezultate solide në punën e tyre. Stopanska Banka nga Manastiri në vitin e kaluar shënoi fitim prej 30,07 milionë denarë. TTK Banka shënoi fitim prej 83.7 milion denarë, që është dyfish më shumë se në vitin 2015 kur kishte fitim prej 38.1 milion denarë. Unibanka në vitin 2016 realizo fitim prej 2.3 milionë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.