Bankat e mëdha në vitin 2020 kanë shënuar fitim prej 101 milionë euro apo 12 milionë euro më shumë se vitin paraprak. Punë më e mirë në vitin e kaluar është regjistruar tek bankat e mesme që vjet kanë pasur fitim prej 14.5 milionë euro, në raport me humbjen prej afër 7 milionë euro në vitin 2019. Në rastin e bankave më të vogla që kanë më pak kapital dhe klientë, fitimi i tyre në dy vitet e fundit është në nivele të ngjashme – me fitim prej 2.4 milionë euro në vitin 2020 dhe 2.2 milionë euro në vitin 2019
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 mars – Bankat në Maqedoninë e Veriut, përkundër shtrëngimeve dhe kufizimeve të shkaktuara në ekonomi nga pandemia, kanë shënuar sërish rezultate të mira financiare. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se fitimi i tyre në vitin 2019 ka arritur në 118 milionë euro. Madje, profiti jo se është zvogëluar në kushte turbulente dhe jostabile, por në vitin 2020 është rritur për 9 milionë euro në raport me vitin 2019, kur është regjistruar fitim prej afër 109 milionë euro. Ekspertët e ekonomisë thonë se në parim – bankat janë institucione që në thelbin e tyre punojnë me një kujdes të veçantë gjatë huamarrjes, si dhe i kanë të siguruara kreditë e tyre ndaj biznesit me garanci të ndryshme, ndërsa po kreditojnë qytetarët që janë të punësuar në punë shteti me një pagë të sigurt.
“Kur bëhet fjalë për fitimin e bankave, edhe në vitin e kaluar edhe në vitet e mëparshme, duhet theksuar se ato praktikojnë një mënyrë mjaft konzervative të punës, ku mbi të gjitha udhëhiqen nga realizimi mbi të gjitha i fitimit. Natyrisht, duke marrë parasysh edhe natyrën e punës së tyre me më pak rreziqe të punës dhe plasmaneve të sigurta”, vlerëson profesori universitar Nasir Selimi. Sipas tij, është treguar se edhe në këtë kohë të pandemisë, ky sektor së bashku me sigurimet dhe farmacinë, po tregojnë fitime. Selimi vlerëson se masat për lehtësimin e huamarrjes për gjashtë muaj për qytetarët dhe biznesin apo prolongimi i kredive, megjithatë për konsumatorët nuk ishin edhe aq të qëlluara siç ishin pritshmëritë, për shkak se edhe për këto muaj u llogarit kamata. Ai shton më tej se bankat, përskaj faktit se duhet të mbajnë llogari për rezultatet e tyre pozitive të punës, nevojitet ti kushtojnë një vëmendje më të madhe në të ardhmen edhe zhvillimit të ekonomisë reale apo kreditimit dhe përkrahjes më të madh ndaj biznesit.
“Bankat në punën e tyre duhet të bëjnë më shumë kujdes për interesat reciproke të të dyja palëve në suaza afatgjate, dhe të jenë një partner më i mirë për biznesin apo duhet të bëjnë më angazhime që të kreditojnë biznesin ku mungojnë përpjekjet e mjaftueshme në këtë drejtim”, shton Selimi. Një moment tjetër që ka ndikuar në rritjen e profitit të bankave, është edhe rritja e kërkesës për kreditim të popullatës në një kohë kur kemi rritje të varfërisë, por megjithatë në periudhën e ardhshme mund të shfaqet edhe problemi me kthimin e rregullt të kredive apo të rritjes së kredive të këqija. Një vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet edhe informimit më të hollësishëm të qytetarëve se çfarë kontratash për kredi po nënshkruajnë dhe cilat janë obligimet dhe detyrimet e tyre ndaj bankave, konstaton profesor Selimi. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se fitimi i bankave vlen për totalin e sektorit bankier, ndërsa rezultatet pozitive financiare janë të ndryshme në varësi prej madhësisë së bankës.
Bankat e mëdha në vitin 2020 kanë shënuar fitim prej 101 milionë euro apo 12 milionë euro më shumë se vitin paraprak. Punë më e mirë në vitin e kaluar është regjistruar tek bankat e mesme që vjet kanë pasur fitim prej 14.5 milionë euro, në raport me humbjen prej afër 7 milionë euro në vitin 2019. Në rastin e bankave më të vogla që kanë më pak kapital dhe klientë, fitimi i tyre në dy vitet e fundit është në nivele të ngjashme – me fitim prej 2.4 milionë euro në vitin 2020 dhe 2.2 milionë euro në vitin 2019. Nga tre bankat më të mëdha në vend, sipas të dhënave të publikuara në Bursën e Maqedonisë, edhe përkundër uljes së fitimit, Stopanska Banka shënon bruto fitim prej 2.177.457 mijë denarë, Banka Komerciale shënon fitim prej 1.986.753 mijë denarë dhe NLB Banka shënon fitim bruto prej 1.857.334 mijë denarë. Të ardhurat më të mëdha të Stopanska Bankës vijnë nga neto të ardhurat prej kamatave prej 3.716.697 mijë denarë, të ardhurat neto të NLB Bankës janë 2.913.186 mijë denarë dhe të Bankës Komerciale janë 2.419.344 mijë denarë.
Ndryshe, ekonomistët shpjegojnë se bankat të ardhura të rëndësishme vjelin nga neto të ardhurat e kamatave, apo nga dallimi midis kamatave të kredive që miratohen dhe kursimeve që ju paguhen qytetarëve. Të ardhura të rëndësishme fitohen edhe prej kompensimeve dhe provizioneve të ndryshme, ndërsa një pjesë e fitimeve realizohet edhe prej dallimit të kursit devizor. Nga ana tjetër, bankat harxhojnë një pjesë të fitimit edhe për të mbuluar pagat e të punësuarve, për rezervimin e kredive të këqija, ose humbjet për shkak të dëmtimit apo përmirësimit të vlerës së mjeteve financiare, kostos së ndryshme të punës së përditshme, mirëmbajtjes së sistemit etj. Njëherësh, vlerësohet se bankat në mënyrë individuale kanë kriteret dhe rreziqet për dhënien e kredive, për miratimin apo jo të projekteve të ndryshme që duhet të financohen për biznesin apo për qëndrueshmërinë e një projekti që do të jetë në gjendje të kthejë nesër borxhin, si dhe për historinë kreditore. (koha.mk)