Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 dhjetor – Në periudhën e kaluar gati njëvjeçare, rritje tregojnë kreditë për amvisëritë, ndërsa ulje kreditë e bizneseve, shkruan gazeta KOHA. Sipas Bankës Popullore të Maqedonisë, në periudhën dhjetor të vitit të kaluar deri në muajin tetor të këtij viti, është rritur borxhi i qytetarëve në banka nga 129 miliardë denarë në afër 140 miliardë denarë, apo afër 2.3 miliardë euro. Në të njëjtën periudhë shënon ulje kreditimi i biznesit prej afër 160 miliardë denarë në afër 146 miliardë denarë, apo afër 2.4 miliardë euro. Gjithashtu, trendin e uljes së kredive për biznesin dhe rritjen e kreditimit për qytetarët, e konfirmojnë edhe analizat më të reja të Bankës Qendrore për periudhën gusht-tetor 2017.
“Analizuar sipas aspektit të sektorit, rritja e tërësishme në tremujorin fundit, del nga kreditë më të larta të amvisërive, që udhëzon në vlerësimet e bankave për më pak rreziqe në këtë segment, përderisa kreditë e miratuara për firmat janë më të ulëta në nivel tremujor”, tregon raporti i fundit i Bankës Popullore të Maqedonisë që analizon punën e sektorit financiare në vend.
Raporti i fundit i BPRM-së tregon rritje prej 2.2 për qind të kredive të amvisërive në fund të muajit dhjetor të vitit 2016. Një rritje e tillë është shënuar edhe në fund të muajit mars me 2.1 për qind. Gjithashtu, në fund të muajit qershor kemi rritje prej 3 për qind, ndërsa në fund të muajit tetor është shënuar rritje kreditore e popullatës prej 2.1 për qind. Hendekun midis të ardhurave më të vogla, në raport me harxhimet më të mëdha mujore, një pjesë e konsiderueshme e popullatës e mbulon krahas remitancave, me punën në bujqësi etj, edhe përmes hyrjes në borxh në banka.
Kamatat promovuese, afate atraktive për kthim, anulim i harxhimeve administrative për miratim, këto janë vetëm një pjesë e kushteve të volitshme që vitet e fundit i ofrojnë bankat në Maqedoni në garë për klientët e ri për kreditë konsumatore dhe banesore. Për bankat, raporton KOHA, qytetarët janë një nga kategoritë më të preferuara për kreditim, duke marrë parasysh se në parim janë shumë të disiplinuar gjatë kthimit të kredive të ndryshme. Konkurrenca e madhe, likuiditeti i lartë, rritja e kursimeve si bazë për kreditim, por edhe masat e Bankës Popullore të Maqedonisë kanë udhëzuar bankat që të ulin shkallët e kamatave nën dhjetë për qind sa ishte vlera e tyre para disa viteve. Qytetarët joshen me ofertat e ndryshme për blerjen e televizorit të ri, pushimit vjetor, mbulimit të harxhimeve për shkollim rinovimit të banesës, por edhe blerjes së banesës me borxh që do të kthehet në vitet e ardhshme.
Nga ana tjetër, nën ndikimin e krizës politike ekziston frenim i biznesit për aktivitete të reja investuese. Uljen e nivelit të kredive të miratuar për biznesin e tregojnë edhe raportet tremujore të Bankës Qendrore, sipas të cilave në fund të muajit dhjetor apo tremujorit të katërt të vitit 2016 shënohet rritje për tre për qind, ndërsa në tre tremujorët e ardhshëm kemi ulje të dukshme të kreditimit të biznesit. Në fund të muajit mars të vitit 2017, shënohet minus prej 3.3 për qind, ndërsa në fund të muajit korrik dhe tetor po të këtij viti, shënohet minus prej nga 1.6 për qind në shkallën e kredive të miratuara për biznesin. Ndryshe, në vitet e kaluara, pjesa dërmuese e biznesit më shumë mendon për mbijetesë në treg se sa për zgjerimin e biznesit. Në vitet e kaluara si rrjedhojë e efekteve negative të krizës politike si ulja e shitjeve në tregti, kanosja e mbylljes së kompanive, anulimi i porosive nga tregjet e huaja, është shkaktuar ngrirja e planeve të reja investuese të mjaft bizneseve në Maqedoni. (koha.mk)