Shkup, 28 mars – Banka Qendrore e Gjermanisë së bashku me shtatëmbëdhjetë banka tjera qendrore nga Sistemi Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisioni Evropian para dy ditëve filluan me zbatimin e Programit të financuar nga Bashkimi Evropian për përforcimin e kapaciteteve të bankave qendrore të vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë për anëtarë të BE-së nga Ballkani Perëndimor.
Përveç bankës qendrore të vendit, shfrytëzues përfundimtar të projektit janë edhe bankat qendrore të Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Shfrytëzues të programit janë edhe agjencitë bankare të BeH-së dhe Republikës Sërpska, si dhe disa trupa për supervizion bankar. Për këtë program rajonal, BE-ja ka ndarë dy milionë euro nga Instrumenti i saj për ndihmë inkuadruese (IPA 2).
Siç kumtoi Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një projekt dyvjeçar në kuadër të aktiviteteve për integrim të institucioneve qendrore bankare nga rajoni i SEBQ-së.
“Programi për përforcim të mëtutjeshëm të kapaciteteve institucionale të institucioneve qendrore bankare të përfshira në projekt para së gjithash nënkupton përforcim të mëtutjeshëm të mjeteve analitike dhe mjeteve të parapara në politikat. si dhe vendosjen e standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare”, thuhet në kumtesë.
Në dy vitet e ardhshme do të zbatohet program intensiv rajonal për trajnim për çështjet kyçe nga sfera e bankarisë qendrore dhe supervizion. Trajnimi veçanërisht do të fokusohet në supervizionin bankar, stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare dhe përfshirjes financiare, ripërtëritjen dhe përballjen me kreditë jofunksionale, politikën monetare, sistemet pagesore, harmonizimin e legjislativës dhe integrimit në BE, politikat për menaxhim, llogaridhënie dhe revizion të brendshëm. Trajnimi do të mbahet nga ekspertë nga bankat qendrore kombëtare të SEBQ-së dhe BQE-së.
Me programin janë paraparë edhe dy punëtori që do të dedikohen për bartësit e vendimeve për përballje me kreditë jofunskionale dhe për çështjet lidhur me menaxhimin e tyre. Përveç ngjarjeve rajonale, përmes Programit do të financohet edhe zbatimi i masave konkrete bilaterale që do të definohen në takimet e Komitetit drejtues të Programit.
Në realizimin e programit, Banka qendrore e Gjermanisë do të bashkëpunojë me bankat qendrore të Austrisë, Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Greqisë, Spanjës, Francës, Kroacisë, Italisë, Lituanisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Veçanërisht i rëndësishëm është edhe kontributi që do ta ketë BQE-ja.
“Banka jonë qendrore, maksimalisht është e përkushtuar në synimin e saj strategjike për inkuadrim ndaj SEBQ-së dhe do të përpiqet maksimalisht t’i shfrytëzojë përfitimet nga ky program”, thuhet në kumtesën e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)