Uashington, 9 janar – Maqedonia vitin e kaluar shënoi rritje ekonomike prej 2,5 për qind, ndërsa në vitin 2019 do të arrijë 2,9 për qind, bëri të ditur Banka Botërore në Raportin ekonomik global të janarit.
Për vitin 2020 Banka Botërore parasheh rritje të BPV-së së Maqedonisë prej 3,2 për qind, ndërsa në vitin 2021 prej 3,3 për qind.
Projeksionet e bankës për Maqedoninë janë korrigjuar në rritje për 0,2 për qind edhe për vitin e kaluar dhe në vitin 2019, 2020 dhe 2021.
Në raportin e Bankës Botërore theksohet se rritja ekonomike në vitin e kaluar shënoi rritje pas zgjedhjes së Qeverisë së re dhe i dha fund krizës politike dhe përmirësoi klimën e investimeve në vend.
Në rajonin e Evropës Juglindore rritje më të lartë këtë vit dhe në vitin 2020 do të shënojë Kosova prej 4,5 për qind. Serbia këtë vit do të ketë rritje prej 3,5 ndërsa vitin e ardhshëm prej 4 për qind, Shqipëria prej 3,6 dhe 3,2, Bosnja dhe Hercegovina prej 3,4 dhe 3,9 për qind, Bullgaria prej 3,1 dhe 3 për qind, Kroacia prej 2,8 për qind dhe në vitin 2019 dhe në vitin 2020, ndërsa Mali i Zi prej 2,8 dhe 2,5 për qind.
Banka Botërore parasheh se ekonomia globale këtë vit do të shënojë rritje prej 2,9 për qind, ndërsa në vitin 2020 prej 2,8 për qind.