[adning id="476476"]

Banesat sociale, Tetova e diskriminuar

48

Pothuajse të gjitha qytetet me shumicë maqedonase kanë banesa sociale, kurse Tetova është lënë anash

Urim HASIPI

Tetovë, 24 korrik – Qeveria e Maqedonisë së Veriut është në negociata me Bankën Evropian për Zhvillim që të vazhdohet faza e dytë për ndërtimin e banesave sociale për rastet e rrezikuara. Nëse arrihet marrëveshje, atëherë në fazën e dytë Komuna e Tetovës mund të përfitojë banesa sociale, përndryshe do të mbetet qytet i diskriminuar në këtë aspekt. Ndonëse faza e parë për ndërtimin e banesave sociale në shumë qytete të vendit, kryesisht në zona të banuara me shumicë maqedonase kishte filluar në vitin 2009, Tetova ishte përjashtuar nga ky projekt. Vetëm Gostivari dhe Kërçova kishin arritur që të jenë pjesë e këtij projekti, por edhe pse jemi në vitin 2021, në Gostivar ende të njëjtat nuk janë dhënë për banorët e rrezikuar në aspektin social. Por, edhe krahas këtij diskriminimi, në vitin 2018 kishte një paralajmërim se edhe në Tetovë do të ndërtohen banesa për rastet sociale, megjithatë ky projekt nuk filloi asnjëherë të realizohet. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski, i pyetur se pse në Tetovë nuk ndërtohen banesa sociale, thekson se nëse në të ardhmen shfaqet nevoja për banesa sociale në Tetovë do të ndërtohen.

“Në projektin e vitin 2009 që realizohej përmes Agjencisë për menaxhim me hapësira banesore, nuk ishte paraparë ndërtimi i banesave sociale. Ky projekt përfundon këtë vit, por Agjencia për menaxhim me hapësira banesore në Maqedoninë e Veriut është duke negociuar me Bankën Evropian për Zhvillim, e cila e financonte këtë projekt, që i njëjti të vazhdohet. Tash janë duke u bërë analiza se a ka nevojë për ndërtesa të këtilla edhe në komuna tjera, dhe pritet që të njëjtat të hyjnë në fazën e dytë”, theksoi Arsovski.

Nga Komuna e Tetovës kohë më parë kishin deklaruar se gjatë bisedimeve me Qeverinë paraprake për ndërtimin e banesave sociale, komuna kishte shprehur gatishmëri që të ofrojë tokë me të cilën menaxhon, kurse Qeveria të ndërtojë banesat. “Nga ne është kërkuar që t’i sugjerojmë Qeverisë parcelë nga toka ndërtimore me të cilën menaxhojmë. Por diçka konkrete në këtë drejtim nuk ka edhe përkundër gatishmërisë sonë pozitive për të kontribuar me asistencën tonë në përshpejtimin e kësaj procedure”, kishin deklaruar kohë më parë nga Komuna e Tetovës.

Në vitin 2018, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut ishte deklaruar se Shoqata aksionare për ndërtim dhe menaxhim me hapësira banesore ka planifikuar të ndërtojë rreth 40 banesa sociale, por ky premtim nuk është mbajtur. Sipas informacioneve të deritanishme në lidhje me ndërtesat e ndërtuara të destinuara për kategoritë sociale të qytetarëve, shteti ka ndërtuar banesa sociale në Gjorçe Petrov 2 ndërtesa me 51 apartamente, në Kërçovë 32 banesa, Ohër 71, Makedonska Kamenica 29, Koçan 29, Kriva Pallankë 46, Berovë 51, Kavadar 30, Manastir 78, Shtip 91, Demir Hisar 25, Prilep 76, Resnjë 18, Koçan 43, Makedonski Brod 10, Strumicw 41, kurse në Gostivar është ndërtuar ndërtesa me 70 banesa, por për shkak të procedurave – ende të njëjtat nuk janë ndarë për qytetarët. Kësisoj, pothuajse të gjitha qytetet me shumicë maqedonase kanë banesa sociale, kurse Tetova është lënë anash. (koha.mk)