Grupe të dhunshme shqiptare ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregun e trafikimit të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, thuhet në një raport të Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani, raporton BBC. Agjencia në fjalë shpreh shqetësim për, siç thotë, ndikimin e profilit të lartë të shqiptarëve në krimin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Raporti është pjesë e vlerësimit vjetor të Agjencisë për natyrën dhe shkallën e krimit të rëndë dhe të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani i veçon bandat shqiptare si “kërcënim i madh” dhe thotë se ato kanë ndikim të veçantë në tregun e kokainës. Zyrtarët thonë se bandat karakterizohen me gatishmërinë për të përdorur dhunë serioze. Londra është “qendra e tyre kryesore”, por ato janë të përhapura në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, thotë raporti. Raporti po ashtu thotë se grupet kriminale serbe dhe turke “dominojnë logjistikën detare të kokainës”, ndërsa grupet turke dhe pakistaneze “vazhdojnë të mbizotërojnë trafikimin e heroinës në Britani të Madhe”. Raporti paralajmëron edhe për kërcënimin e krimit kibernetik nga vendet rusishtfolëse. (REL)