Profesor shumëvjeçar në Yale University, Ivo Banac konsiderohej si një prej njohësve më të mirë të realiteteve historike të ish-Jugosllavisë. Autor i librit të shumëvlerësuar “The National Question in Yugoslavia”, historiani kroat do të trajtonte edhe historinë e shqiptarëve vizavi Serbisë dhe elitave të saj politike, ushtarake dhe intelektuale
E kishte thënë shkoqur se Marrëveshja e Brukselit nuk ishte në dobi të Kosovës, sepse BE-ja me të po ia mundësonte kandidaturën Serbisë. Edhe për kufizimet ndaj sovranitetit të shtetit më të ri në Evropë, ai ishte njëlloj kundërshtues, sepse, siç shprehej, “sovraniteti ekziston ose nuk ekziston”.
Si një nga njohësit më të mirë të historisë së Jugosllavisë në Perëndim, Ivo Banac citohej për qëndrimet e tij zhbiruese, origjinale dhe objektive për rajonin, raporton KOHA Ditore.
Të martën, historiani, politikani dhe shkrimtari kroat ka ndërruar jetë, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 73-vjeçare, kanë bërë të ditur burime pranë familjes Banac.
Dubrovnikasi, që kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara para gjashtë dekadash, ka qenë njëri nga studiuesit më të mirë të realiteteve politike e sociale në Ballkanin Perëndimor.