Mario Balotelli mund të zgjedhë me zemër. Edhe pse në adresë të tij ka mbrritur një ofertë e shkëlqyer nga ana financiare nga klubi brazilian Flamengo, gjasat janë që Supermario të rikthehet për të luajtur me skuadrën e qytetit ku u rrit, pikërisht me Brescian. Në orët e ardhshme sulmuesi 29-vjeçar do të vendosë të ardhmen e tij. Sëfundmi duke iu referuar lajmeve që raportojnë mediat italiane, Balotelli i ka ndezur dritën jeshile presidentit të dallëndysheve Cellino për të kaluar te Brescia me këtë të fundit që e ka rritur ofertën duke i vendosur në tryezë sulmuesit një kontratë 3-vjeçare me një pagë prej 2 milionë eurosh në sezon plus bonuset që kanë të bëjnë me numrin e golave dhe me qëndrimin Brescias në Serie A dhe mund të kapin shifrën e 3 milionë eurove.
Oferta e Brescias larg asaj të Flamengos që i ofron 10 milionë euro në momentin e firmës Supermarios, plus 300 mijë euro në muaj për 1 vit e gjysmë, shto këtu edhe kalimin e vëllait Enock te skuadra braziliane e Boavistas, megjithatë Balotelli është i destinuar për të qëndruar në Itali dhe është gati të pranojë ofertën e Brescias.