Mario Balotelli nuk do të grumbullohet nga Xhian Piero Ventura për dy ndeshjet plej-ofit me Suedinë, që janë pengesa e fundit për Italinë për të siguruar pjesëmarrjen në finalet e “Rusi 2018”. Edhe pse po kalon një moment shumë të mirë në radhët e Nicas, atij nuk i ka mbërritur ftesa paraprake, që është e detyrueshme për lojtarët që luajnë jashtë Italisë.
E kundërta ka ndodhur me sulmuesin e Valencias, Simone Zaza, të cilin Ventura e ka përfshirë në listën paraprake për ndeshjet e nëntorit. Trajneri i “të kaltërve”, në fakt, pret që Andrea Belotti të riaftësohet në kohë nga dëmtimi që ka pësuar në gju në fillim të tetorit. Sulmuesi i Torinos është gati të kthehet në dispozicion të trajnerit Sinisha Mihajloviç, por nëse forma e tij nuk do të jetë e duhura, atëherë vendi i lënë bosh prej tij do të jetë për Simone Zazan.