Mario Balotelli, titullar i padiskutueshëm prej dy sezonesh te Nice në Ligue 1, mund të largohet nga klubi francez i drejtuar nga Lucien Favre, gjatë muajve të ardhshëm. Ish-sulmuesi i Inter dhe Milan u transferua sezonin e kaluar me kosto zero me qëllimin për tu riaftësuar në elitën e futbollit francez. Ai shënoi me fanellën kuqezi të Nice plot 15 gola në 23 ndeshje në kampionat, duke udhëhequr ekipin e tij drejt vendit të tretë në fund të kampionatit të Ligue 1, duke u kualifikuar kështu për në kualifikueset e Champions League.
Edhe në këtë sezon të ri, Mario Balotelli ka rikonfirmuar paraqitjet dhe performancën e tij pozitive të sezonit të kaluar, duke shënuar 9 gola. Por pavarësisht, kjo nuk ka mjaftuar që të mbajë klubin në nivelet e larta, teksa sot klasifikohet në vendin e tetë të renditjes së kampionatit francez. Nice ka rrëshkitur në Europa League, pasi u mund në kualifikueset e Champions League nga Napoli, dhe tashmë ka kaluar në raundin e të gjashtëmbëdhjetave.
Kontrata e Mario Balotelli, me vlerë rreth 3.7 milionë euro, dukej se kishte një peshë të konsiderueshme në kasën e klubit të Nice, që në rast se nuk do të arrijë kualifikimin për në Europë, në përfundim të sezonit do të duhet të rishikojë shpenzimet dhe kontratat. Ishte vetë numri një i Nice, Jean-Pierre Rivere, që e deklaroi për ‘RMC Sport’: “Mario është një djalosh shumë simpatik dhe në fushë është i jashtëzakonshëm. Po ndryshon edhe stilin e tij të lojës, po rritet, por a do të qëndrojë me ne edhe sezonin e ardhshëm? Mbase, nuk e di, do të varet edhe nga rezultatet. Kur firmosëm me Balotellin e dinim që do të luanim në Europë. Nuk është sekret që ai paguhet në një nivel të lartë, ndaj pa Europë, nuk mund të përballojmë shpenzimin e shifrave të atij niveli dhe në ato kushte mund të largohet, ndonëse ne do të donim ta evitonim”.