Balotazhi për zgjedhjet lokale do të mbahet më 19 nëntor

17

Në Qendrën e Numërimeve dhe të Rezultateve aktualisht është duke vazhduar pranimi i materialit të ndjeshëm zgjedhor nga komunat e Kosovës. Deri më tani ky material i ndejshëm zgjedhor është pranuar nga një numër i madh i Komunave dhe procesi është duke vijuar normalisht. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (LQZ), Valmir Elezi. Ai ka thënë se koha se kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave është e përcaktuar me ligj dhe i bie të mbahen më 19 nëntor. Sipas tij, në QNR do të bëhet edhe skanimi i listës së votuesve dhe pas kësaj do të fillohet me një proces tjetër, siç është numërimi i votave me kusht, votave të cilat kanë ardhur përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Puna e KQZ-së, sipas Elezit, tani është orientuar drejtë shpalljes së rezultateve përfundimtare e që kjo sipas tij, do të bëhet sa më të shpejtë që është e mundur. “Numërimi i fletëvotimeve ka përfunduar në vendvotime gjatë mbrëmjes të së dielës, pra pas përfundimit të votimit menjëherë në vendvotime ka filluar numërimi i fletëvotimeve dhe ky proces ka përfunduar brenda pak orësh. Ndërkaq në QNR ka vetëm numërim të fletëvotimeve të votave me kusht, pastaj votave të personave me nevoja të veçanta dhe të votave të cilat kanë ardhur përmes postës.  Ky proces do të filloj pas përfundimit të skanimit të listës përfundimtare të votuesve nga vendvotimet e rregullta”, tha ai. Elezi i pyetur se kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave, ka thënë se ajo sipas ligjit i bie më 19 nëntor. “Koha se kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave është e përcaktuar me ligj, pra do të mbahet katër javë pas ditës së raundit të parë, që i bie më 19 nëntor . Ndërkaq kohëzgjatja e fushatës për këtë raund të dytë të zgjedhjeve do të përcaktohet me vendim nga ana e KQZ-së”, tha Elezi. Ai beson se që pasi të dalin me rezultatet përfundimtare, KQZ-ja do të caktojë edhe kohën e mbajtjes së fushatës elektorale për subjektet politike të cilat do të jenë në balotazh.

Comments are closed.