Balluku: FA merr nën ruajtje ndërtesën e AlbControl

17

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se të gjithë kontrollorët që kanë braktisur detyrën dhe që ndodhen në godinën e sigurisë së lartë të AlbControl në aeroport do të nxirren nga godina. Ajo deklaroi se Forcat e Armatosura do të marrin nën kontroll kullën e vrojtimit, ndërkohë që policia do të bëjë të mundur nxjerrjen e tyre. Balluku deklaroi se këta kontrollorë mund të kryejnë veprime të tjera shumë të rrezikshme për popullin shqiptar.

“Të gjithë ata kontrollorë që kanë vendosur ta mbyllin dyqanin, më vjen keq, por ky nuk është një dyqan. Ky është AlbControl Navigimi Ajror i Republikës së Shqipërisë, i cili ndër të tjera është një ndërtesë e sigurisë së lartë dhe për shkak të veprimeve të papërgjegjshme që keni bërë deri më tani na lind e drejta të humbim besimin tek ju. Është humbur besimi nga disave prej jush dhe nga momenti që bëtë këtë veprim mund të kryeni aksione të tjera shumë më të rrezikshme për hapësirën shqiptare dhe për popullin shqiptar. Nga ky moment ndërtesa do të merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe nga ky moment policia do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë që kanë vendosur të mos jenë më kontrollorë. Shpresoj që gjithë ata djem e vajza që janë rritur me AlbControl t’i kthehen detyrës dhe të harrohet sa më shpejt kjo histori dhe të mbyllet sa më shpejt ky turp”, tha Balluku.

Ministrja Balluku pati një thirrje për të gjithë kontrollorët e trafikut ajror që kanë përgjegjësi ndaj Shqipërisë që të kthehen në detyrë.

“Ju lutem shumë të gjithë kontrollorët e trafikut ajror që ndjejnë përgjegjësi ndaj qytetarëve të republikës së Shqipërisë të kthehen menjëherë në detyrë sipas organizimit të turneve që keni pasur apo që mund të keni dhe që drejtuesit tuaj do t’ju organizojnë”.

Ministrja u shpreh se një pjesë e kontrollorëve janë kapur nga politika për shkak të fushatës. Balluku sqaroi se ata kanë braktisur detyrën dhe këtë e kanë bërë në mënyrë të paligjshme. Ajo sqaroi se fakti që operatorët qëndrojnë përpara kompjuterit nuk do të thotë se po kryejnë funksionin.

“Një pjesë e vogël e tyre është kapur nga politika dhe për shkak se ndodhemi në fushatë elektorale kanë futur duart mjeshtrat e politikës dhe e morën trafikun ajrr shqiptar dhe e bënë plaçkë. Sot një çetë ka marrë e ka bërë plaçkë hapësirën ajrore shqiptare. Çfarë ndodh? Të këshilluar nga mjeshtrat e politikës vazhdojnë dhe qëndrojnë brenda ndërtesës ata që kishin turnin sot, ulur nëpër konsola, apo xhiro nëpër korridore që të mos i quhet braktisje e vendit të punës. T’ju sqaroj diçka që të jemi të qartë. Për braktisjen e vendit tuaj të punës është dëshmitare e gjithë Shqipëria. Që ju keni braktisur punën është dëshmitarë e gjithë Shqipëria, dhe nuk do t’ju ndihmojë dot askush kur të vendoseni para ligjit për këtë braktisje të paligjshme të detyrës. Fakti që qëndroni në godinë para konsolës nuk do të thotë se jeni në punë. Detyra juaj është të kontrolloni trafikun ajror të Shqipërisë. Përsa kohë është mbyllur Aeroporti i Rinasit për shkak të mos operimeve tuaja, ju nuk po e kryeni detyrën tuaj kështu që nuk jeni në detyrë, e keni braktisur detyrën dhe është e pavlefshme që të qëndroni në godinë për të siguruar ligjshmërinë. Ligjshmëria e veprimeve tuaja ka rënë dje kur u dorëzua në mënyrë të menjëhershme një herë 5 dhe më pas 31 fletë të cilat pak a shumë janë të shkruara po njësoj, si zotëria shumë po shumë i stresuar që nuk merr 4400 dollarë, por merr 2490 Dollarë për 17 ditë punë, për 28 + 7 ditë pushimi, ose e thënë ndryshe vetëm 205 ditë punë në vit. Të gjithë qytetarët dinë t’i mbajnë llogaritë nëse një familje shqiptare mbahet me 2490 dollarë apo jo. Nga ky moment për sigurinë e Republikës së Shqipërisë, për shkak të të gjitha angazhimeve që kemi tek partnerët tanë dhe duke qenë se fatkeqësisht kontrollorët e trafikut ajror të cilët kanë nënshkruar kontrata dhe kanë marrë përgjegjësinë për të operuar zonën shqiptare kanë vendosur as të mos bëjnë detyrën. Për këtë arsye një ndërtesë e sigurisë së lartë nuk mund të qëndrojë në duart e personave që nuk janë të lidhur më me trafikun ajror dhe kanë deklaruar paaftësi përmes një greve të paligjshme. Ata persona që nuk operojnë më dhe nuk kryejnë funksione, do të largohen nga ndërtesa duke filluar nga ky moment”, tha Balluku.

Ushtria mbërrin në godinën e AlbControl

Menjëherë sapo Ministrja Belinda Balluku deklaroi se ndërtesa e AlbControl do të merrej në ruajtje nga Forcat e Armatosura, mjetet e ushtrisë u panë duke shkruar në Aeroportin e Rinasit.

Ndërkohë, teksa përcolli pamjet e mjeteve të Ushtrisë që shkonin drejt godinës, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shkruajti se “Aeroporti i Rinasit Nënë Tereza është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. Strukturat tona të Forcave të Armatosura, si pjesë integrale e aeroportit, kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanise së aviacionit civil Albcontrol sha”.

Meta fton palët në një takim

Duke parë situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit, Presidenti Ilir Meta i ka ftuar palët në një takim që kjo çështje të marrë zgjidhje. Kreu i shtetit ftoi kryeministrin Rama, ministren Balluku, sindikatën e kontrollorëve, por edhe përfaqësues ndërkombëtarë në një takim.

Meqenëse jemi në këtë situatë, unë e ftoj kryeministrin, e ftoj ministren, ftoj sindikatën, të bëjmë meqenëse jemi në kushte pandemie unë jam gati për takime të përafërta, ftoj përfaqësues të vendeve të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe, të BE-së dhe të institucioneve europiane të kontrollit ajror ndaj të cilave kemi detyrime pasi mund të merren masa që mund të na penalizojnë si vend që të zhvillojmë në çdo moment që qeveria është e gatshme, një bisedë dhe t’i japim një zgjidhje sa më të arsyeshme dhe më të logjikshme kësaj situate. Siç i kam thënë dhe kontrollorëve, për arsye që i dimë, pra që nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar, pra të pasojave që vijnë nga pandemia do duhet të jemi realistë. Të paktën, zgjidhje të ngjashme apo të përafërta me shtetin e Kosovës apo vendet e tjera të rajonit duhet të japim në mënyrë që siguria e qytetarëve tanë të mos cënohet për asnjë sekond, në mënyrë që detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë të plotësohen me përgjegjshmëri maksimale. Gjithë ky tension është artificial, është një marrëzi”, tha Meta.

Presidenti i bëri thirrje kryeministrit që të mos bëjë lojëra. Ai u shpreh se kreu i qeverisë ka frikën e zgjedhjeve të 25 Prillit, ku deklaroi se do të bëhen dhe “nuk i luan topi”.

“I bëj thirrje kryeministrit në detyrë t’i thërrasë mendjes, sepse nuk mund të bëhen lojëra të tilla në një moment të tillë për të gjitha arsyet që unë përmenda dhe nuk jemi në Amerikën Latine këtu, të para disa dekadave. Prandaj unë nuk e humbas durimin, dhe nuk shqetësohem nga provokimet e qëllimshme që bëhen, të cilat në fakt kanë vetëm një problem. Dramën e zgjedhjeve pluraliste që një mendje e marrë përjeton për ato zgjedhje që po vijnë më 25 Prill, të cilat do të bëhen dhe nuk i luan topi”, tha Meta.

Kreu i shtetit shtroi disa pyetje edhe për ministren Belinda Balluku, ku tha se ajo ka provokuar dhe akuzuar Presidentin Meta.

“Pas takimit Presidenti kërkon marrjen e masave, ministria nuk angazhohet për të zgjidhur situatën dhe për të zhvilluar një dialog, por angazhohet për të shantazhuar më tej kontrollorët dhe duke nisur procedurat e shkarkimit të disa prej tyre. Pas nisjes ndaj këtyre shkarkimeve kanë filluar dhe largimet në masë nga puna. Nisur nga kjo situatë unë kam një pyetje për ministrin e Transportit që sot doli për të provokuar dhe akuzuar Presidentin e Republikës. Si shpjegohet që për 10 muaj me radhë që për këtë çështje kaq të rëndësishme sipas teje sot të sigurisë kombëtare  dhe jam i lumtur që e vlerëson të tillë nuk gjete kohën të takoheshe me kontrollorët që janë trajnuar prej më shumë se 20 vite nga shteti shqiptar dhe institucionet ndërkombëtare për këtë çështje? Si shpjegohet që ato letrat për koncensionin e Aeroportit të Rinasit, për t’u bërë pa garë ashtu siç e dini ju të gjithë, i bëre për një ditë?”, tha Meta.