“Ballkanlar plastik” nga Turqia, filloi me ndërtimin e fabrikës në Bunarxhik

Shkup, 18 korrik – Kompania turke “Balkanlar plastik” sot filloi me ndërtimin e fabrikës në ZZHTI Shkup 1, ku planifikon të investojë 7,5 milionë euro dhe të hapë në fillim 80, ndërsa më vonë 306 vende të punës.

Eren Çalishir nga “Ballkanlar” theksoi se kanë vendosur të investojnë në vend, ndërsa me mbështetje të Qeverisë u është mundësuar në afat shumë të shkurtër t’i bëjnë përgatitjet për fillimin e investimit.

“Me investimin në vend, planifikojmë të kontribuojmë për punësime të reja. Presim që investimi të jetë i suksesshëm dhe të japim gjithçka nga ana jonë që të realizohet ky pojekt”, ka thënë Çalishir.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev theksoi se kjo është një prej 30 fabrikave që ndërtohen në shtet. Turqia është një prej partnerëve më të mëdhenj të shtetit tonë, vjet ka pasur investime direkte prej 36,2 milionë euro, ndërsa në tremujorin e parë 16,3 milionë euro që tregon tendencë të rritjes dhe presim deri në fund të vitit numri i vjetshëm të tejkalohet.

Investimi fillestar është 7,5 milionë euro me 306 punësime të planifikuara në shumë faza.

Angjushev theksoi se si Qeveri do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për t’i mbështetur të gjithë investitorët vendorë dhe të huaj.

Sipas kryeministrit Zaev, çdo hapje e fabrikës së re është gëzim për të gjithë sepse kjo krijon vende të punës, e rrit BPV-në e shtetit, ndërsa merr pjesë edhe në komponentët eksportues, që do të thotë përforcim i standardit ekonomik të qytetarëve.

“Fabrikat e reja janë gëzim për të gjithë për shkak të asaj që ata konfirmojnë disa vlera dhe kjo është se është e sigurt dhe stabile, se është progresive dhe me perspektivë dhe se në mënyrë praktike është e mundur të zgjidhen të gjitha çështjet dhe parakushtet për hapjen e fabrikës”, theksoi Zaev.

Ai potencoi se investimi vjen nga një ndër miqtë tanë më të mëdhenj.

“Investitorët turq janë një ndër më të pranishëm në vendin tonë”, tha kryeministri duke u thënë që të ndjehen si në shtëpi, ndërsa u falënderua edhe për ratifikimin e fundit të Protokollit për NATO në Kuvendin e Turqisë.

Kumtoi se investimet e huaja sivjet rriten me rritëm të shkëlqyer, ndërsa standardi ekonomik po rritet.

“Definitivisht jemi vend i cili ka ndryshuar, i cili ofron prosperitet dhe siguron përfitim të shkëlqyer për investitorët, ndërsa për ne vende të reja të punës”, tha Zaev.