Temperaturat e ngrohta të pranverës, shumica do i pres me entuziazëm, por ato me vete, në disa pjesë të Evropës dhe në veçanti në Ballkan, do të sjellin stuhi të fuqishme dhe përmbytje. Ky është parashikimi i madh për pranverën nga qendra meteorologjike, AccuWeather. Zona e Gjermanisë deri në Bjellorusi dhe Ukrainë do t’i nënshtrohet kushteve ekstreme atmosferike me stuhi, deri sa reshjet e mëdha të shiut do të rrezikojnë me përmbytje të mëdha, gadishullin e Ballkanit. Në perëndim të Evropës pritet një pranverë e thatë e nxehtë, madje me nxehtësi mbi mesatare.
STUHI SHKATËRRUESE NGA GJERMANIA NË BALTIK
Stuhi dhe erëra të forta nuk do të jenë dukuri të jashtëzakonshme në muajt e pranverës, në zonën e Gjermanisë dhe Polonisë, dhe nuk përjashtohen as stuhi shkatërruese me rrufe, thekson meteorologu i AccuWeather, Tyler Roys. “Që në pranverën e hershme, priten stuhi të fuqishme në Gjermani, të cilat mund të shkaktojnë kaos në trafik. Rreziku më i madh nga stuhitë është nga fundi i muajit prill dhe fillimi i muajit maj. Müncheni dhe Berlini në Gjermani, Kievi në Ukrainë dhe Minsku në Bjelorusi do të jenë më të rrezikuarat nga stuhitë me rrufe”, thekson AccuWeather duke shtuar se këto zona përveç se nga stuhitë, do të jenë të rrezikuara edhe nga përmbytjet, e mund të paraqiten edhe tornado.
BALLKANI I RREZIKUAR NGA PËRMBYTJET
Deri sa stuhitë shkatërruese do të krijojnë probleme serioze në veri, zona e Alpeve deri në Ballkan do të jenë të rrezikuara nga përmbytjet. “Në pjesën më të madhe të dimrit, në Ballkan janë shënuar reshje të shiut dhe borës nën mesatare. Nga fundi i dimrit priten stuhi dhe sasi të mëdha të reshjeve të shiut, të cilat do të vazhdojnë në muajt e pranverës”, tha Reppert. Rrezikun nga përmbytjet mund ta shtoj edhe shkrirja e borës në zonat malore.
Periudhat me reshje të mëdha të shiut mund të zgjasin në këto zona edhe me ditë të tëra, parashikon AccuWeather. Reshje të borës mund të ketë në zonat malore, deri në fund të muajit mars. Përveç rrezikut nga përmbytjet, ekziston rreziku edhe nga shkarjet e dheut, por kryesisht në zona malore.
MOTI I NXEHTË DHE I THATË NGA FRANCA NË PIRINEJ
Pas një dimri me reshjet më të mëdha të shiut në histori, Francën e pret një stinë e thatë e pranverës mbi mesataren. Në këtë rajon nuk priten shumë stuhi dhe reshje shiu, dhe reshje të tilla priten vetëm në fillim të pranverës, në muajin mars.
Pritet një periudhë e gjatë me thatësira dhe mot të nxehtë, dhe pranvera në këtë rajon më shumë do të ngjanë në stinën e verës, parashikon AccuWeather.
MOT I THATË EDHE NË BRITANINË E MADHE DHE SHTETET SKANDINAVE
Në veri të Evropës gjithashtu nuk priten kushte ekstreme të motit, gjë që do të lehtësoj popullsinë e këtyre rajoneve, pas stuhive të mëdha dhe reshjeve të borës që kanë goditur këto vende gjatë muajve dhjetor dhe janar. Gjithsesi, në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar priten reshje të mëdha të shiut, por ato nuk do të jenë të shpeshta.