Shkaqet për emigrimet, sipas Nikica Kolar nga Kroacia, në përgjithësi mund të thuhet se janë ekonomike gjegjësisht pamundësia për punësim, standardi i ulët jetësor… Gjermania, siç theksoi, është më atraktive, sepse ka mungesë të fuqisë së punës, ndërsa interesante janë edhe Austria dhe Irlanda
Remzije BILALLI
Shkup, 5 dhjetor – Po ndodh eksod i popullsisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të rinjtë po emigrojnë, shoqëritë po plaken. Ndryshimet demografike tashmë nuk janë mit, por realitet. Shkaqet për “ikjen” e të rinjve janë ekonomike, por për këtë ndikon edhe korrupsioni ekzistues në shtetet. Kur Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e BE-së, në vitet e para të gjithë “do të largohen” jashtë. Sot më shumë se sa gjatë stuhisë së parë të krizës emigruese në vitin 2016, emigrantët shfrytëzohen nga ana e grupeve të organizuara kriminale për përfitimet e tyre. Kjo kryesisht ishte konstatuar në prezantimin e djeshëm të dy dokumenteve për politika publike “Lëvizje emigruese dhe çrrënjosja e krimit të organizuar në Evropën Juglindore: Përforcim i përfshirjes së ardhshme në BE-Ballkan Perëndimor” dhe “Emigrim dhe ndryshim demografik në Evropën Juglindore” në organizim të Institutit të Demokracisë “Societas Civilis”.
Nikica Kolar nga Kroacia, një nga autorët e dokumentit nga hulumtimi “Emigrim dhe ndryshim demografik në Evropën Juglindore”, duke sqaruar se analiza ka të bëjë me emigrimet nga Ballkani Perëndimor drejtë vendeve të BE-së, theksoi se ndryshimi i situatës demografike është deri në ato masa, që kjo më nuk është mit, por realitet i hidhur që na pret dhe i cili potencialisht do t’i shkatërrojë këto shoqëri. Në pesë deri shtatë vitet e kaluara, thotë ai, po ndodh një eksod i popullatës, para së gjithash i të rinjve, ndërsa pasojë nga kjo është plakja e shoqërive gjithëpërfshirëse. Sipas tij, më së shumti emigrojnë të rinjtë nga Serbia, Kroacia dhe nga Bosnja e Hercegovina. Kolari vlerëson se të rinjtë “ikin” nga këto vende sepse nuk mund të gjejnë punë sipas arsimimit të tyre. Shteti ynë, sipas tij, ende nuk është në mesin e tri shteteve të para sa i përket emigrimit të të rinjve, sepse ende nuk është anëtare e BE-së. Kur do të hyjë në BE, nënvizon ai, në vitet e para të gjithë do të “ikin” jashtë, kjo i ndodhi Estonisë dhe pjesërisht Sllovenisë, veçanërisht Kroacisë nga e cila në periudhë prej pesë deri në gjashtë vjet u shpërngulën deri në 200 mijë persona, më së shumti të rinj. “E gjithë kjo sjell deri në situatë që shoqëritë të bëhen shoqëri të të moshuarve, vende të varfra pa punëtorë”, tha Kolar.
Shkaqet për emigrimet, sipas tij, në përgjithësi mund të thuhet se janë ekonomike gjegjësisht pamundësia për punësim, standardi i ulët jetësor… Gjermania, siç theksoi, është më atraktive, sepse ka mungesë të fuqisë së punës, ndërsa interesante janë edhe Austria dhe Irlanda. Në analizën, Kolari rekomandon se për zgjidhjen e kësaj çështje nuk mund të mbështetemi në partitë udhëheqëse partiake, por se nevojiten iniciativa qytetare, OJQ ose parti të reja politike, që ta zgjidhin çështjen me presion ndaj Qeverive. Jelka Klemenc, nga Instituti për Menaxhim Integrues me sigurinë e brendshme në Lubjanë dhe autore e dokumentit “Lëvizje emigruese dhe çrrënjosje e krimit të organizuar në Evropën Juglindore:Përforcim i përfshirjes së ardhshme të në BE-Ballkan Perëndimor” foli për shfrytëzimin e emigrantëve të cilët janë në rrugë drejtë BE-së nga ana e grupeve të organizuara kriminale për përfitime të tyre. Ajo shtoi se po punon në sferën e policive kriminalistike të shteteve nga Ballkani Perëndimor për çrrënjosjen e emigrimeve ilegale dhe krimit të organizuar, siç është kontrabandë e njerëzve dhe përdorim i dokumenteve të falsifikuara. Struktura e nacionalitetit të emigrantëve, të cilët sot janë rrugë drejtë BE-së dhe janë viktima të kontrabandës, nuk ka ndryshuar nga viti 2016, ndërsa ato janë më së shumti shtetas nga Pakistani, Afganistani, Iraku dhe Somalia.