Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 prill – Shkallë të larta të punësimit në të zezë prej afër një milion njerëz, ikja e madhe e popullatës dhe standardi jetësor i shteteve të rajonit që nuk arrin as një të tretën e shteteve të Bashkimit Evropian. Edhe 25 vite pas shpërbërjes së ish shtetit jugosllav, shtetet e krijuara nga kjo hapësirë, së bashku me Shqipërinë, kanë ekonomi që edhe pas 25 vitesh tranzicioni nuk siguron jetesë normale për qytetarët e tyre. Bile, edhe Sllovenia që ishte e para që do të shkëputet nga ish shteti jugosllav dhe e para që hyri në Bashkimin Evropian nuk mund të arrijë performancën e ekonomisë së saj si kur ishte pjesë e Jugosllavisë. Në vitin 2014, PBB reale në Ballkanin Perëndimor ishte gati 10 për qind nën nivelin e atij të vitit 1989. Për nivelin e mirëqenies në vendet e Ballkanit flasin edhe të dhënat, sipas të cilave niveli mesatar i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për person në vendet e Ballkanit, është sa 40 për qind e mesatares së vendeve të BE-së. Në ndërkohë, vetëm në periudhën 1990-2012 nga shtetet e Evropës lindore janë shpërngulur mbi 20 milionë njerëz që mbështesin ekzistencën e familjarëve të tyre në vendlindje. Qytetarët e rajonit për shkak të ekonomisë së ngadalësuar dhe të ardhurave modeste, akoma me të madhe mbështeten në miliardat euro që për çdo vit ju dërgojnë familjarët e tyre nga shtetet perëndimore, me qëllim që të kalojnë muajin. Ekonomistët thonë se krahas konflikteve të armatosura në vitet 1990, edhe disa zhvillime të tjera, kanë ndikuar në rënien e ekonomive të shteteve të Ballkanit. Këtë e dëshmon edhe fakti se edhe vende si Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania që nuk u përfshinë në luftë, për shkak të jo-stabilitetit politik dhe ekonomik, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë në nivel të ulët të mirëqenies. Analizat relevante ndërkombëtare tregojnë se përparimin ekonomik të shteteve të rajonit e pengojnë institucionet e dobëta shtetërore dhe mungesa e drejtimit të mirë apo demokratik.
“Problem i përbashkët që me intensitet të ndryshëm i mundon të gjitha shtetet e rajonit është mungesa apo niveli i pamjaftueshëm i sundimit të ligjit. Në të gjithë rajonin, bile edhe kur janë miratuar ligje të mira dhe adekuate, mungojnë garanci për respektimin e të drejtave të njeriut, gjyqësori nuk është efikas dhe shpesh ndikohet nga politika, korrupsioni ka një zgjerim të gjerë, ndërsa lufta kundër krimit të organizuar edhe më tej është pak e suksesshme. Gjithashtu institucionet janë të politizuara dhe jotransparente . Vërehet edhe jo-efikasitet i administratës ku mbretëron klientelizmi, që këto shtete i rendit në të dobëta për shkak se nuk janë në gjendje t’ju sigurojnë qytetarëve të tyre të mirat kryesore publike”, thuhet në analizën e Fondacionit gjerman, Fridrih Ebert, me titull “Ballkani perëndimor ndërmjet gjeografisë dhe gjeopolitikës”, përcjell KOHA.
Gjithashtu, ngecja e madhe e shteteve të rajonit në aspektin ekonomik dhe hapat e ngadalshëm në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, ndërlidhen edhe me më shumë faktorë ku bëjnë pjesë edhe kapacitetet e dobëta administrative të shteteve që të krijojnë ambient të favorshëm për sipërmarrje dhe jo shtetet të jenë lojtarët kryesorë në ekonomi, si dhe mungesa e vëmendjes më të madhe e Brukselit për këtë rajon për mbarëvajtjen e reformave. Ekonomistët thonë se ekziston edhe një lidhje vendimtare mes të kaluarës së trazuar të këtyre shteteve dhe mungesës së efikasitetit të gjerë institucional, si faktor thelbësor që ndikon në ngulfatjen e zhvillimit të rajonit. “Faktorët që përcaktojnë pozicionin aktual socio-ekonomik të këtyre vendeve janë edhe mungesa e përvojës së shteteve të reja, që kanë edhe historinë e konflikteve pas tyre. Në gjendjen e shteteve të rajonit ndikojnë edhe mosmarrëveshjet etnike dhe kufitare, papunësia e lartë, demokracitë jo të konsoliduar, niveli shumë i lartë i pakënaqësisë popullore me politikanët, korrupsioni dhe nivelet e ulëta të besimit në institucionet politike”, vlerëson ekonomisti i Bankës Botërore, Branko Milanoviq. Ndryshe, Instituti ekonomik i Vjenës parashikon se rritja ekonomike sivjet në Ballkanin perëndimor do të jetë 3 për qind, ndërsa në vitin e ardhshëm 3,2 për qind, duke vlerësuar se rikuperimi ekonomik i Ballkanit perëndimor mund të jetë viktimë e paqartësisë në rritje, sidomos për shkak të dyshimit të qëndrueshmërisë së BE-së, që përjetohet si “karotë” dhe SHBA-ve, që paraqiten si “shkop” që janë dy faktorët që në dy dekadat e fundit kanë përkrahur stabilitetin e këtij rajoni të brishtë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara