Studiues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia pohojnë se në rajon është ende e lartë dëshira për t’u integruar në BE dhe administratat po përpiqen të arrijnë këtë, ndërsa tani pritet për t’u parë se si do të ecin etapat e reja
Destan JONUZI
Shkup, 25 janar – Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u trajtuan në mënyra të ndryshme sa u takon kushteve për të ecur përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian (BE), kështu ka vlerësuar Alba Çela, përfaqësuese e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në Konferencën me temë “Pritshmëritë e Ballkanit Perëndimor për integrimin evropian” që u mbajt të mërkurën në Tiranë.
“Në rastin e Shqipërisë një zhvillim me rëndësi ishte vendimi i marrë në Bundestagun gjerman. Mos harrojmë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u trajtuan në mënyra të ndryshme sa u takon kushteve për të ecur përpara. Shqipëria ka një listë të saktë me dyta dhe afate dhe në këto kushte është ende. Ato detyra janë në tryezë për tu kryer. Besoj se zgjerimi është një histori e mirë edhe për vet BE-në, sepse do të tregojë energjinë jetësore të tij dhe fuqinë për të ndryshuar, e jo vetëm për vendet e Ballkanit. Mbetet për t’u parë ecuria e kësaj faze dhe pritet një përgjigje mbi besueshmërinë e procesit në këtë fazë. Nëse procesi bazohet në rregulla të qarta, atëherë integrimi dhe zgjerimi do të jetë një histori suksesi për të dy anët si për BE-në edhe për vendet e Ballkanit perëndimor”, tha Alba Çela, përfaqësuese e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Ndërsa studiuesja nga Shkupi, Ardita Abazi, tha se shoqëria maqedonase është e zhgënjyer nga vendimi i fundit prej BE-së, ndonëse u bënë aq shumë sakrifica dhe u përmbushën shumë detyra, duke nisur nga ndryshimi i emrit të shtetit e deri te tema të tjera. “Shumë njerëzve në Maqedoninë e Veriut iu duket se BE i la vetëm, ndërsa për Shqipërinë vendet anëtare kishin disa shqetësime të tjera, por sa u takon maqedonasve ata mbetën të zhgënjyer. Viti që kaloi pati arritje të mëdha edhe gabime të mëdha me integrimin, madje janë duke u tërhequr edhe disa vende anëtare që ishin entuziastë për zgjerimin e BE-së. Maqedonia e Veriut po shkon drejt zgjedhjeve të reja, por nuk pres, tha zonja Abazi, që përpara tyre të ketë ndonjë lajm pozitiv për zgjerimin. Reformimi I vet BE është tani në tavolinë ndërsa për planet e zgjerimit do të ketë diskutime të tjera dhe pritet një metodologji e re”, theksojë Abazi.
Në konferencë ka folur edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Vasak, e cila ka potencuar se vendet kandidate duhet të sigurohen nëse i kanë përmbushur kriteret e anëtarësimit. “Pse kaq shumë njerëz po e lënë Shqipërinë, kur kanë një vend të mrekullueshëm, dhe shkojnë në Britani, Gjermani dhe Francë. Mbani parasysh se qysh kur është krijuar Bashkimi Evropian dhe deri në gjithë dokumentet e tij të fundit në qendër të gjithçkaje është zbatimi i ligjit”, potencon ambasadorja Vasak. Studiuesit nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia pohuan se në rajon është ende e madhe dëshira për t’u integruar në BE dhe administratat po përpiqen të arrijnë këtë. (koha.mk)