Nga FMN vlerësojnë se mungesa e infrastrukturës themelore publike në rajon paraqet pengesë të rëndësishme për rritjen më të lartë ekonomike, ndërsa Ballkani në mesatare, në infrastrukturë investon vetëm 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 shkurt – Vendet e Ballkanit Perëndimor si Maqedonia, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosovë, Maqedonia, Mal i Zi dhe Serbia kanë rrjete të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit që nuk janë të zhvilluara sa duhet, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian. Kështu tregojnë analizat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa vlerësohet se mungesa e infrastrukturës themelore publike në rajon paraqet pengesë të rëndësishme për rritjen më të lartë ekonomike, shkruan gazeta KOHA.
“Rrjetet më të mira të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit do të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor që ta rrisin produktivitetin, të integrohen më thellë në rrjedhën e tregtisë globale dhe ta përmirësojnë atraktivitetin e rajonit për investime të huaja. Një shtytje e koordinuar rajonale në infrastrukturën publike, së bashku me një menaxhim më të mirë të projekteve aktuale, do të mund t’i rrisnin ndjeshëm të ardhurat për kokë banori”, tregojnë analizat e FMN-së. Nga ana tjetër, analiza e Institutit për marrëdhënie ndërkombëtare nga Vjena, udhëzon se shtetet e Ballkanit në mesatare investojnë vetëm 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në infrastrukturë, ndërsa nevojitet të investojnë 8 deri 12 herë më shumë.
Financimi i projekteve të ndryshme në përgjithësi mbështetet në borxhet dhe grantet e institucioneve ndërkombëtare evropian, por edhe te kreditorët kinez.
Mirëpo, niveli në rritje i borxheve paraqet kërcënim për stabilitetin makroekonomik, nëse kreditë edhe më tej do të jenë burimet kryesore të investimeve. Andaj preferohet që të mendohet më shumë për financimin alternativ si partneritetet private – publike, apo dhënie me koncesion, duke mos i zhytur më tej shtetet në borxh thonë nga instituti.
“Kjo mund të ketë pasoja makroekonomike, për shkak se nga fillimi i krizës globale financiare , nivelet e borxheve janë rritur dhe paraqesin kërcënim të madh për stabilitetin ekonomik. Fondet evropiane deri në fillim të vitit 2018, kanë financuar 146 projekte infrastrukturore me vlerë prej 10.9 miliardë euro, ku pjesa më e madhe me 7.9 miliardë euro kanë qenë kredi. Kreditë kineze kanë investuar 7.8 miliardë euro. Problematike është se të gjitha këto investime bazohen në kredi, që mund të sjellin ekonomi jostabile në shtetet e rajonit”, theksohet në raportin e institutit të Vjenës. Analiza më tej thekson se borxhet kineze ndërlidhen me faktin se kompanitë nga Kina edhe realizojnë punimet, duke sjellë shpesh edhe punëtorë por edhe materiale pune nga Kina, që në përkthim do të thotë Kina ofron kredi për rritjen e ekonomisë vetanake, duke fituar edhe nga kamatat shtojnë autorët e raportit. Njëherazi investimet si evropiane, ashtu edhe kineze në të shumtën e rasteve, fokusohen në infrastrukturën e komunikacionit dhe atë energjetike, përderisa, investimet në arsim dhe shëndetësi janë shumë të vogla.
“Mungesa e investimeve në mbrojtjen e mjedisit, shëndetësi dhe arsim, në mënyrë serioze e pengon zhvillimin e rajonit dhe integrimet evropiane. Një fakt i tillë ndihmon edhe migrimin masovik dhe ikjen e trurit. Andaj, investimet infrastrukturore, nevojitet të fokusohen në sektorët ekologjik, social, shëndetësor dhe të arsimit që kanë qenë të lënë padore deri tani”, konstatojnë autorët e raportit. Nga ana tjetër, vlerësohet se për ekonomitë jo fort të fuqishme, do të ishte mirë që të mos hyjnë në borxhe, por të rivlerësojnë më shumë investimet e ndryshme përmes koncesioneve.
Zënia e hapit me nivelet e infrastrukturës së BE-së është e vështirë. Investimet publike kërkojnë burime të mjaftueshme buxhetore dhe korniza të forta institucionale që rregullojnë përzgjedhjen, ekzekutimin dhe monitorimin e projekteve. Këto dy kushte kryesisht mungojnë në Ballkanin Perëndimor. Shumica e vendeve në rajon tashmë kanë nivele të larta të borxhit publik dhe disa gjithashtu kanë deficite të larta buxhetore. Vështirësitë në shfrytëzimin e tregjeve ndërkombëtare kapitale kufizojnë likuiditetin. Menaxhimi i investimeve publike është gjithashtu i dobët tregojnë analizat e FMN.
Nga Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandojnë “ Investimet në investime”, apo forcimin e kapaciteteve për të planifikuar, përzgjedhur dhe realizuar projekte të infrastrukturës do të siguronte që burimet në dispozicion përdoren më mirë, si dhe do të përmirësonte aftësinë e rajonit për të absorbuar financimin e donatorëve në dispozicion. Është po ashtu me rëndësi që projektet e infrastrukturës të mos jenë viktimë e politizimit. Vendet mund ta shmangin këtë duke përcaktuar orare të investimeve bazuar në qëllime konkrete, të matshme dhe metodologji transparente të vlerësimit.
“Shumë rrjete të infrastrukturës shtrihen përtej kufijve. Për këtë arsye, është thelbësore të sigurohet një koordinim më i mirë i projekteve të investimeve. Vendet e rajonit duhet të konsiderojnë arritjen e kursimeve në shpenzimet e tyre rrjedhëse për të gjetur burime për projektet e kushtueshme. Qeveritë mund të krijojnë hapësira shtesë për manovrim duke zgjeruar bazën e tyre tatimore (duke eliminuar lirimet dhe stimulimet tatimore) dhe duke fuqizuar përmbushjen tatimore, të cilat do të rezultonin në më shumë të ardhura të mbledhura”, thonë nga FMN, raporton KOHA.
Njëherazi rekomandohet që financimi i jashtëm duhet të luajë rol më të madh në infrastrukturën publike në Ballkanin Perëndimor, duke siguruar kështu që burimet e brendshme financiare ti shërbejnë nevojave të sektorit privat. Financimi zyrtar nga donatorët, si dhe financimi multilateral dhe bilateral në kushte koncesionare do të duhet të luajë rol dominues, veçanërisht në vendet me borxh të lartë publik. Së fundi, por jo me më pak rëndësi, vendet nuk duhet të rrezikojnë stabilitetin e tyre të përgjithshme makroekonomike me projekte tej ambicioze ose të dobëta të infrastrukturës publike. Kompromiset ndërmjet rritjes ekonomike, inflacionit dhe deficiteve të jashtme të llogarive rrjedhëse duhet të jenë element kyç i çdo diskutimi politik mbi shkallëzimin e infrastrukturës publike në rajon tregojnë analizat e FMN. (koha.mk)