Shqipëria ka marrë presidencën e radhës të Federatës Ballkanike të Volejbollit (BVA) për 12 muajt e ardhshëm, shkruan sot gazeta Zëri. Kandidatura e presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi, është miratuar unanimisht në punimet e Asamblesë së kësaj organizate, të zhvilluara në Bosnje dhe Hercegovinë. Është marrë vendim që Kosova t’i organizojë dy gara ballkanike për kadetë dhe juniorë. Krejt këto zhvillime sikur kanë ngjallur zemërim në Serbi. Sekretari i Federatës së Volejbollit të Serbisë (FSV), Ivan Knezeviç, u ka thënë medieve në Beograd se pjesëmarrja e FSV-së në Asamblenë e BVA-së nuk nënkupton njohje të Kosovës nga ana e Serbisë. Sipas tij, BVA-ja e njeh Kosovën, pasi kjo e fundit paraprakisht është pranuar në Federatën Botërore dhe atë Evropiane të Volejbollit. Mirëpo, ai ka paralajmëruar mospjesëmarrje të Serbisë në garat ndërkombëtare të cilat do të zhvillohen në Kosovë me qëllim që Federata Serbe të jetë e rreshtuar me Qeverinë e Serbisë në qëndrime karshi pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.