Nëse në fakt Ballkani është barku i Evropës, nëse edhe në aspektin gjeografik dhe të vlerave që ndajmë si në aspektin kulturor, ekonomik shoqëror edhe jemi Evropë, atëherë mbetet një përgjegjësi më e madhe e partnerëve atlantik apo Brukselit dhe Uashingtonit që të na ofrojnë një perspektivë më të madhe për ne që të mos jemi më bishti i Evropës
Nga Fisnik PASHOLLI
Më 4 prill të vitit të kaluar u festua 70 vjetori i Planit Mareshal për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës së pasluftës. Me të u investuan 13 miliardë dollar të atëhershme, apo mbi 110 miliardë dollar me kundërvlerë të sotshme në ngritjen në këmbë të shteteve aleate të rrënuara nga lufta e dytë botërore. Para vitit 1948 , apo në periudhën ndërmjet viteve 1945 dhe 1948, amerikanët investuan më shumë se 15 miliardë dollar për të ndihmuar Evropën perëndimore, megjithatë këto të holla nuk treguan sukses. Atëherë Marshall tha do tu japim akoma tëholla evropianëve, megjithatë ato duhet të na thonë se si do të shfrytëzojmë këto të holla së bashku.
Pra, thelbi i planit Marshall ishte mbështetja për një Evropë të bashkuar. Tani po ti kthehemi realitetit të sotshëm politik, ekonomik dhe gjeopolitik në Ballkan, të gjitha shtetet e rajonit që akoma nuk janë anëtare të BE-së , kanë problem të ngjashme apo edhe të njejta me gjyqësorin joefikas, me ikje të madhe të njerëzve jashtë shtetit, me arsim dhe shëndetësi që lëngojnë nga buxhetet e vogla nga njëra anë dhe kërkesat e mëdha nga ana tjetër për të edukuar dhe arsimuar gjeneratat e ardhshme në një ambient jo të mirë , apo për të mjekuar njerëzit me resurse jo të kënaqshme.
Me ekonomitë nacionale që dobët qëndrojnë me konkurrencën në ekonomi, me problemin e madh të ndotjes që vështirë gjen zgjidhje në tërë Ballkanin perëndimor, me ekonomi të mëdha informale, apo edhe me kritika nga perëndimorët për luftën kundër korrupsionit. Tani jo se në 10 apo edhe 20 vitet e kaluara ka munguar mbështetja dhe përkrahja e ShBA-ve dhe Evropës për Ballkanin perëndimor për tu bërë ekonomi funksionale që nesër më lehtë do të garojë në tregjet globale.
Nuk ka munguar as suporti për reformat në fusha të ndryshme, mirëpo sikur rezultatet e këtyre reformave në të gjithë rajonin lënë për të dëshiruar. Nëse në fakt Ballkani është barku i Evropës, nëse edhe në aspektin gjeografik dhe të vlerave që ndajmë si në aspektin kulturor, ekonomik shoqëror edhe jemi Evropë, atëherë mbetet një përgjegjësi më e madhe e partnerëve atlantik apo Brukselit dhe Uashingtonit që të na ofrojnë një perspektivë më të madhe për ne që të mos jemi më bishti i Evropës. Të na ofrojnë, jo pritje në stolin e rezervave që do të hyjmë në lojë kur ndonjë nga 22 lojtarët e ekipit të parë mund të lëndohet, por të na mundësojnë që gradualisht të hyjmë në 11-en e parë duke plotësuar edhe kushtet dhe kërkesat e caktuara.
Nevojitet që edhe ndihma të konkretizohet dhe lidhet edhe me rezultate konkrete të reformave të ndryshme , që nuk do të mbesin vetëm në letër,por do të kenë edhe tregues të qartë të punës së bërë nga dikasterë të ndryshëm për një , dy , tre apo katër vite. Pra para po, por jo pa rezultate të prekshme, të kapshme dhe që mund edhe të shikohen me sy të thjeshtë apo të ndihen edhe konkretisht në jetën e përditshme të qytetarëve. (koha.mk)