Nga Fisnik PASHOLLI
Papunësia me 60 për qind dhe në përgjithësi situata ekonomike me 47 për qind, mbeten brenga kryesore e qytetarëve të Ballkanit perëndimor tregojnë rezultatet e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, që javën e kaluar bëri publik rezultatet e Barometrit të Ballkanit, një studim vjetor i opinionit të qytetarëve dhe komuniteteve të biznesit mbi situatën në rajon. Njëherazi vetëm gjysma e qytetarëve janë të kënaqur me efikasitetin e procedurave administrative në sektorin publik, afër 60 për qind e qytetarëve në Ballkanin perëndimor e ndjejnë se ligji nuk po zbatohet në mënyrë efektive, ndërsa 70 për qind e ndjejnë se ligji nuk po zbatohet në mënyrë të barabartë.
Gjithashtu 61 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me angazhimet e qeverive të tyre për të luftuar korrupsionin. Njëherazi niveli i besimit qytetar në qeveritë dhe politikat në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor është alarmant, pasi rreth 60 për qind e qytetarëve nuk u besojnë qeverive, parlamenteve dhe sistemeve gjyqësore, sipas gjetjeve të edicionit të ri të Barometri Ballkanik, bazuar në të dhënat e vitit 2018.
Është interesante të theksohet se qytetarët vlerësojnë se ilaçi për problemet e tyre të shumta përkundër sfidave dhe problemeve të shumta, megjithatë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Këtë e dëshmojnë edhe rritja e përkrahjes për anëtarësim prej 42 për qind në vitin 2015, në 56 për qind në vitin 2018, apo me fjalë të tjera, për herë të parë, pas pesë vjetësh, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar e përkrahin integrimin evropian të rajonit. Edhe pse nuk ka rrugë të shkurtra në përgatitjet e rajonit për t’u bashkuar me BE, megjithatë krahas bashkëpunimit më të madh rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, për shtetet e rajonit si Maqedonia e veriut dhe Shqipëria është jetike të hapen bisedime për anëtarësim në BE, për shkak se ato do të jenë shtytje për shtetin që të ecë para në aspektin jo vetëm të reformave, por edhe përmirësimeve të tjera që nevojiten në funksionimin e shoqërisë dhe shtetit.
Edhe pse brenda kemi dobësi të shumta, megjithatë hapja e negociatave do të çojë vendin përpara duke e ballafaquar me dobësitë dhe mangësitë që duhet evituar. Mirëpo reformat nuk duhet të varen vetëm puna e një ministri aktual apo atij që do të vijë pas tij, apo të varen prej ndryshimit eventual të ekzekutivit, por ato duhet të jenë të përhershme , këmbëngulëse, afatgjate dhe të pandërprera në të mirë dhe në dobi të qytetarëve. Duhet të jenë një maraton i gjatë që nuk duhet të lodh askënd. Gjithashtu nuk duhet të na dekurajojnë as hapja e bisedimeve në Malin e zi që nga viti 2012 ku janë hapur 32 nga 35 kapituj, ndërsa vetëm tre janë mbyllur vetëm përkohësisht apo në mënyrë provizore, ndërsa Serbia që ka hapur bisedimet në vitin 2014 , ka hapur 16 nga 35 kapituj duke mbyllur vetëm dy kapituj në mënyrë të përkohshme. Në fund të fundit, shtëpinë tonë do e ndreqim që vetë të jetojmë nesër më mirë, dhe që ta bëjmë një hapësirë të këndshme edhe për gjeneratat e reja, dhe jo se këtë e kërkon dikush nga jashtë.
Se reformat duhet të shfrytëzohen për të rregulluar funksionimin e shtetit që biznesi nesër të punësojë , të rrisë pagat dhe të mbushë arkën e shtetit, flasin edhe përvojat kroate të vonesës apo ngadalësimit të më shumë reformave, ku edhe pas pesë vitesh të anëtarësimit në BE, ekzistojnë probleme të mëdha me ikjen jashtë të popullatës për shkak se në vendin e tyre nuk shohin perspektivë dhe avenir të punës dhe jetesës, me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore, me administratën joefikase, problemet e shumta me funksionimin jo të mirë dhe të kënaqshëm të arsimit, shëndetësisë, sistemit gjyqësor e kështu me radhë. (koha.mk)