Dëbimet e paligjshme të emigrantëve, të cilët bëjnë përpjekje të arrijnë në Evropë përmes së ashtuquajturës Rrugë e Ballkanit, janë në rritje. Ky është përfundimi i Agjencisë për Refugjatë në Kombet e Bashkuara. “Rreth 1000 njerëz nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika janë dëbuar vetëm në nëntor”, tha për AFP-në zëdhënësja e UNHCR-së në Serbi, Mirjana Milenkovska. Qindra-mijëra emigrantë kanë marrë Rrugën e Ballkanit, sidomos përmes Maqedonisë dhe Serbisë, për të arritur në vendet e BE-së, ndërsa ajo është mbyllur në muajin mars. Aktivistët dhe organizatat joqeveritare po ashtu kanë tërhequr vërejtjen se shumë emigrantë, të regjistruar në mënyrë ligjore, janë dëbuar ilegalisht nga Serbia në Bullgari dhe Maqedoni. Në Serbi ndodhen aktualisht rreth 7000 emigrantë. Shumica janë të vendosur në 13 qendra zyrtare të pritjes, ndërsa rreth 1000 flenë në qendër të Beogradit.