Delvina KËRLUKU
Zeqirja REXHEPI, profesor i historisë. Lindi në Bogovinë më 5 tetor të vitit 1960. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pas gjimnazit emërohet kryeredaktor në gazetën “Flaka”, ku veprimtaria e tij do të zgjat 6 muaj. Punoi mësimdhënës në shkollë fillore, të mesme (Gjimnazi i Tetovës). Më vonë punësohet në Universitetin e Tetovës – Fakulteti Filozofik, fillimisht si asistent dhe më pas si ligjërues i rregullt në lëndën “Historia e diplomacisë” dhe “Historia e Integrimeve Evropiane”. Ka marrë pjesë në një numër të madh të konferencave shkencore, prej ku shumica e punimeve janë botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Është i martuar me pedagogen Zejnepe Alili Rexhepi dhe kanë një vajzë – Andrën.
KOHA: Profesor, si historian i periudhës bashkëkohore, çfarë do na thoshit për kontributin e shqiptarëve për themelimin dhe konsolidimin e shtetit të Maqedonisë?
REXHEPI: Njohuritë mbi aktualitetin e kohës, ndryshimet e sistemeve politike deri te proceset pluraliste demokratike, gjithmonë kanë qenë në fokus të interesimit tim, gjë që më nxiti të specializoja në sferën e studimeve evropiane – Historinë e Evropës së Bashkuar, sikurse dhe zhvillimet shoqëroro-politike në vend gjatë kohës së krijimit dhe zhvillimit të Maqedonisë si shtet i pavarur. Sa është kontributi i shqiptarëve për themelimin dhe konsolidimin e shtetit të Maqedonisë, është një pyetje që ngërthen në vete me dhjetëra arsye, procese e argumente, andaj nuk mund të përfshihet në pak rreshta. Megjithatë, do të përpiqem të rrumbullakoj diçka më me peshë, në tërë këtë proces. Historikisht, shqiptarët e Maqedonisë kanë bashkëvepruar si pjesë përbërëse e kombit shqiptarë. Dëshmi për këtë janë të shumta, veçmas: pjesëmarrja aktive në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke filluar nga kryengritja e Dervish Carës, Epopesë së Lidhjes së Prizrenit e deri në kohën e kryengritjes së përgjithshme shqiptare dhe shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar (1912). Konferenca e Londrës (1913) pranoi një realitet të ri politik në Ballkan – e njohu Shqipërinë e pavarur, por jashtë kësaj krijese politike e la gjysmën e kombit shqiptar, në Mbretërinë e Serbisë, ndërsa pas Luftës së Parë Botërore në përbërje të Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas riformatimit të Jugosllavisë, komunistët jugosllavë sajuan realitet të ri politik, me ç’rast formohet Republika e Maqedonisë. Në këtë njësi federale hynë territore, me shumicë shqiptarë etnikë, që përfshinin pjesën veriore dhe perëndimore të republikës. Në fazën e rënies së sistemit komunist dhe shpërbërjes së Federatës Jugosllave, shqiptarëve të Maqedonisë iu imponua zgjidhja politike. Edhe përkundër disfavoreve politike, ata e ruajtën paqen në shtetin e sapokrijuar dhe jo vetëm që nuk e penguan procesin e krijimit të shtetit të ri, por e ndihmuan atë, duke qenë faktor aktiv në ngritjen e institucioneve shtetërore. Pra, është e vërtetë që shqiptarët kontribuuan në ruajtjen e paqes në vend, mbase për faktin e një situate të brishtë, të shqiptarëve në përgjithësi, veçmas atyre në trojet e ish Jugosllavisë.
KOHA: Cilat janë sëmundjet e shkencës së historisë sonë në momentin aktual?
REXHEPI: E dimë se historia nuk zhbëhet, edhe atëherë kur nuk na pëlqen! Ashtu sikurse domosdoshmëria e së ardhmes së individit dhe e kombit që nuk mund të jetë e plotë pa njohjen e së kaluarës historike, gjë që gjithnjë është në fokus të interesimit të njeriut. Njohja e së vërtetës rreth ngjarjeve historike është e lidhur me zhvillimin e drejtë të shkencës së historisë. Ndodh që njerëzit i besojnë thënies se: “historinë e shkruan fituesi”. Kjo qëndron përderisa “fituesi” është i fortë dhe e dikton historinë, mirëpo kur fituesi dobësohet apo bie nga skena, nga ai çast fillon procesi i rishkrimit të historisë. Kjo ka ndodhur në disa periudha historike, sidomos gjatë sistemit komunist, megjithëse pas rënies së atij sistemi, historianëve ju desh që ta rishkruajnë zhvillimin e ngjarjeve, me zbulimin e fakteve të “fshehura”, me të cilat pasurohet shkenca dhe njëkohësisht njihet opinioni i gjerë me të vërtetën historike.
Sëmundja më “serioze” e shkencës së historisë është interpretimi i shtrembëruar i ngjarjeve dhe fakteve historike, në favor të politikës ditore. Në këtë rast, shkenca instrumentalizohet dhe shndërrohet në pseudoshkencë. Sipas meje, kjo mund të emërtohet si krim shkencor, ndërkohë që do përdor një konkludim të historianëve të njohur perëndimorë, “ballkanasit prodhuan më tepër histori seç mund të konsumonin”. “Të vërtetat” e shtrembëruara historike, për fat të keq, gjenden me shumicë në historiografinë e popujve ballkanikë. Në shumë raste, keqinterpretimi ose shtrembërimi i historisë ka shërbyer si frymëzim për breza të tërë, në veçanti në shekullin XIX dhe XX. Mbi bazë këtij interpretimi, serbët, jo vetëm që e përvetësuan betejën e Kosovës (1389), por e ngritën edhe mitin mbi Kosovën, mbi bazë të të cilit frymëzuan breza të tërë, për Kosovën – “djep i serbizmit”! Miti për Kosovën si tokë serbe dhe festimi i një beteje të humbur, që ndodhi në shekullin XIV përbën një absurd të shkencës së historisë. Nga kjo pandehmë, e një ngjarjeje historike me karakter ballkanik, serbët nuk mund të çlirohen as sot e kësaj dite. Të helmuar nga historiografia e tyre pseudoshkencore me dekada dhe shekuj, gjatë kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë, politika zyrtare serbe u demaskua në mbarë botën demokratike dhe liridashëse, si politikë krimi dhe gjenocidi. Nga kjo njollë e zezë, kombi serb nuk do të mund të lirohet kurrë! Epilogu i interpretimit joshkencor të historisë janë kundërthëniet e vazhdueshme midis popujve dhe vendeve ballkanike (me theks të veçantë të Ballkanit Perëndimor), në të cilat investimet e miqve europerëndimorë janë tepër të mëdha, në procesin e reformave politike, ekonomike dhe kulturore. Edhe përkundër këtij fakti, ballkanasit vazhdojnë të mbeten pika e zezë e qytetërimit evropian.
KOHA: Balli Kombëtar veproi edhe në këto anë. A mund të na thoni diçka më konkrete për raportin e forcave komuniste dhe nacionaliste?
REXHEPI: Varësisht nga cili këndvështrim dëshirojmë ta shtrojmë çështjen në fjalë. Në qoftë se historiani çështjen e veçon nga zhvillimet e përgjithshme ndërkombëtare, atëherë duhet pranuar se Balli Kombëtar ishte një forcë politike nacionaliste, e cila synonte krijimin e Shqipërisë Etnike. Megjithatë, një shkencëtar i mirëfilltë, i liruar nga kthetrat politike, çështjen nuk mund ta veçojë, sepse Lufta e Dytë Botërore nuk ishte krizë rajonale, por luftë e përgjithshme e kombeve botërore. Kombet e të gjithë botës ishin rreshtuar midis dy kauzave: fashizmit dhe antifashizmit. Në Shqipëri nuk është krijuar ndonjë front i përbashkët anifashist. Me zhvillimin e luftës, nacionalistët pak nga pak rrëshqasin në linjën e fashizmit (politika e këtillë është reflektuar edhe në anët tona). Kërkesë permanente e aleatëve antifashistë (anglo-amerikanë) ka qenë rezistenca e armatosur kundër fashistëve italianë dhe gjermanë. Përderisa, krerët nacionalistë më shumë kanë taktizuar (me përjashtime), komunistët me ngulm e kanë vazhduar rezistencën e armatosur, duke e organizuar potencialin njerëzor ndër shqiptarët. Me zhvillimin e aktiviteteve partizane, komunistët krijojnë epërsi të dukshme, gjë që në përfundim të luftës u jep mundësinë e organizimin e celulave të para të pushtetit dhe së fundi ta marrin tërësisht pushtetin në duart e tyre. Zhvillimet politike dhe ushtarake në Shqipëri do të reflektohen edhe në anë tona. Tek shqiptarët jashtë Shqipërisë, regjimi i fashistëve italianë dhe gjermanë ishte me shumë favore, në krahasim me regjimin e Mbretërisë jugosllave. Ky dhe ishte shkaku kryesor që rezistenca antifashiste në anët tona pati jehonë tepër të vogël. Në këto rrethana, politika e nacionalistëve shqiptarë (Ballit Kombëtar), dukej më e kapshme dhe gjeti mbështetje më të madhe në këto anë. Pas përfundimit të luftës dhe krijimit të realiteteve të reja politike, fakti i morezistencës antifashiste të shqiptarëve është keqshfrytëzur nga qarqet nacionaliste sllave, duke i fajësuar shqiptarët si “bashkëpunëtorë” të okupatorit që, në të vërtetë, shqiptarët nuk kishin qenë kurrë.
KOHA: Partitë shqiptare këtu fillimisht kishin karakterin e lëvizjeve popullore (siç ishte rasti edhe me LDK-në e Ibrahim Rugovës dhe PPD-në e Nevzat Halilit), sa zgjati dhe a ka përfunduar procesi i konsolidimit apo profilizimit të tyre. Sot a mund të flasim se kemi parti të majta e të djathta te shqiptarët e Maqedonisë?
REXHEPI: Pas rënies së sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore, sistemi i ri i demokracisë parlamentare – sistemi pluralist mundësoi që edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë të krijohen dy subjekte politike: Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore. Meqë PPD-ja ishte partia e parë, nënkuptohet se ajo përfshiu pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në fakt ishte një lëvizje gjithëpopullore. Me kalimin e kohës, midis faktorit politik shqiptarë ndodhën rigrupime, me ç’rast dalin në skenë subjekte të reja politike, të cilat e marrin përsipër avancimin e kauzës së shqiptarëve në Maqedoni. Karakteristikë e përbashkët e subjekteve politike shqiptare në fazën e parë të Maqedonisë së pavarur (vitet 90-ta) është themelimi, ngritja dhe rënia nga skena politike. Këtë do ta përjetojë partia e parë politike – PPD dhe më pas edhe subjektet tjera politike.
Rënia e subjekteve politike shqiptare është proces që vazhdon edhe në kohën e sotme. Një nga shkaqet e defaktorizimit është edhe fakti se, subjektet politike shqiptare mbetën parti lideriste, që është në kundërshtim me parimet themelore të sistemit të demokracisë parlamentare. Mungesa e institucioneve demokratike partiake është pengesë për reformimin permanent të subjekteve politike. Subjektet e reja politike te shqiptarët e Maqedonisë nuk sjellin kurrfarë risie që do t’i dallonte ato nga subjektet e “vjetra”, edhe kur ato i humbin zgjedhjet, liderët e tyre nuk tërhiqen (dorëheqje).
KOHA: Cilat kanë qenë gabimet më të theksuara (me pasoja për ne) që i kanë bërë partitë tona politike, në raport me ato maqedonase? A mund të themi se ato janë autoktone dhe autonome?
REXHEPI: Kam bindjen se, subjektet e para politike të shqiptarëve të Maqedonisë (PPD-PDP) kanë vepruar drejt politikisht kur ata e kanë mbështetur pavarësimin e Maqedonisë si shtet. Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet edhe për ruajtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë. Me këtë rast, do të veçoj tri çështje thelbësore, të cilat e çuan Maqedoninë në konfliktin ushtarak në vitin 2001: çështja e parë ka të bëjë me statusin juridiko-kushtetues, ku shqiptarët i humbën të drejtat e trashëguara (sipas Kushtetutës së vitit 1974); çështja e dytë, ka të bëjë me grabitjen e tërë pasurisë shtetërore, ku shqiptarët nuk trashëguan asgjë nga kjo, edhe pse kishin qenë taksapagues të shtetit të mëparshëm dhe së fundi, çështja e tretë, kërkesa për themelimin e institucionit të lartë arsimor u kundërshtua ashpër nga shteti i sapokrijuar – Maqedonia. Të mbetur me statusin e pakicës kombëtare, pa perspektivë ekonomike dhe pa institucion të lartë arsimor, shqiptarëve të Maqedonisë u ishin mbyllur të gjitha shtigjet e mundshme që përmes procesit politik të realizojnë disa nga interesat e tyre. Në këto rrethana do të shpërthejë kryengritja e armatosur, në vitin 2001.
KOHA: Çfarë kërkoi historiani Zeqirja në krye të “Flakës”?
REXHEPI: Do të ishte më e drejtë pyetja: Ç’kërkon një intelektual në një post drejtues? Duke u bazuar në përvojën time prej historiani, pedagogu, studiuesi dhe njohësi i rrethanave politiko-shoqërore, si dhe edukimin tim familjar dhe arsimor me vetëdije shumë të lartë për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave tona kombëtare dhe kulturore, pa dyshim se edhe nga këndvështrimi i sotëm, kur “Flaka” nuk botohet më, u përpoqa të jap kontributin tim në udhëheqjen dhe organizimin e botimit të kësaj gazete. Ndonëse është fakt se, më parë nuk kisha punuar si gazetar, por kjo nuk do të thotë se nuk kisha njohuri për rolin e jashtëzakonshëm të mediave në zhvillimin e proceseve shoqërore dhe aq më tepër e zotëroja aspektin organizativ. “Flaka”, e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Maqedoni, kishte lënë gjurmë të thella tek unë, që në fillet e para të shkollimit…, natyrisht, atëbotë nuk e dija se unë një ditë mund të isha në krye të saj. Si kryeredaktor i “Flakës” qëndrova vetëm gjashtë muaj, një kohë kur rrallë kush besonte se ajo mund të ringrihet, meqenëse që më parë e kishte marrë teposhtëzën. Duhej të kisha qenë idealisti i fundit që besoja se gazeta mund të shpëtonte. Megjithatë, po të bëhet një analizë, ka dëshmi se “Flaka”, edhe pse vetëm me 6 muaj udhëheqje, përjetoi një “rilindje”. Në atë periudhë, gazetës sadopak iu shtua tirazhi, për herë të parë botohej kolor dhe përpiqesha edhe personalisht që ajo të shpërndahej në sa më shumë qytete shqiptare. Kur të doni këtë mund ta dëshmoj edhe me ekzemplarët që i ruaj në bibliotekën personale. Mirëpo, proceset rrodhën asisoj që “Flaka” nuk mundi të mbijetojë!
KOHA: A mund të na flisni pak për kolektivin e kësaj gazete për kohën që Ju e drejtuat?
REXHEPI: Për një periudhë të shkurtër kohore janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta rikthyer imazhin e dikurshëm të “Flakës”, si nga ana ime si kryeredaktor, ashtu edhe nga një pjesë e stafit të redaktorëve dhe punonjësve tjerë, edhe pse mjetet teknike ishin të stërvjetëruara, ndërkaq pagat mujore të mjerueshme, të cilat merreshin me vonesë prej 6 muajsh. Më duhet të theksoj se, në periudhat e mëhershme në “Flakë” kishin punuar një numër i konsiderueshëm i gazetarëve të njohur, të cilët me shkrimet e tyre kishin lënë gjurmë në historinë e kësaj gazete, por që ishin larguar. Unë pata rastin “ta gjej” në “Flakë” z.Daut Dauti, i cili nuk e di se si kishte mbetur aty, për shkak se bëhet fjalë për një gazetar shembullor, për kolumnat e të cilit kishin nevojë edhe gazetat prestigjioze maqedonase dhe të huaja.
KOHA: Profesor, sot – më mirë pjesë e gazetës, e universitetit apo politikës?
REXHEPI: Varësisht se ku mund të kontribuoj më shumë. Në qoftë se do të zgjidhja midis gazetarisë, universitetit apo politikës, sërish do të përcaktohesha për universitetin. “Funksionin” profesor universitar e konsideroj më të “shenjtë” se çdo funksion tjetër. Unë jam profesor i Historisë, ky është profesioni im i pazëvendësueshëm. Një gazetar i devotshëm dhe i aftë profesionalisht, përmes shkrimeve të tij mund të lë gjurmë tepër të rëndësishme që mund t’i shërbejnë opinionit publik. Një politikan apo diplomat i suksesshëm mund t’i shërbejë kombit dhe vendit të tij. Një historian – shkencëtar, përmes angazhimit të tij mund të ushtrojë ndikim të dyfishtë: ta frymëzoj, brezin e ri, njëkohësisht të lër, vepra tepër rëndësishme shkencore, gjithmonë në shërbim të brezit të ardhshëm.
KOHA: Për aq kohë sa marrim frymë, ka ende shpresë për të dalë historia jonë e vërtetë në Maqedoni?
REXHEPI: Më e keqja do të ishte rënia në letargji dhe humbja e shpresës. Sa u takon shqiptarëve në Maqedoni, duhet theksuar se periudha e komunizmit përfundoi si një përpjekje për mbijetesë fizike dhe ç’rrënjosje e analfabetizmit. Në Maqedoninë e pavarur, edhe përkundër sfidave të shumta, përpjekjet e shqiptarëve u përqendruan për identitet politik dhe kulturor. Ndër këto përpjekje duhet veçuar ngritjen e institucioneve të larta arsimore dhe atyre hulumtuese në gjuhën shqipe. Universiteti i Tetovës është arritja më e madhe kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë, i cili për një kohë të shkurtër është duke e ndryshuar shoqërinë shqiptare nga bërthama e saj – familja. Në kuadër të Fakultetit Filozofik, pranë Universitetit të Tetovës, funksionon Departamenti i Historisë, në të cilin përgatiten kuadro të reja për nevoja të arsimit shqip në vend dhe krahas këtij misioni, profesorët (historianë) me angazhimin e tyre shkencor kontribuojnë edhe në veprimtarinë hulumtuese shkencore. Në këtë kontekst, duhet pritur se një ditë duhet të sheh dritën edhe historia e shqiptarëve të Maqedonisë.
KOHA: Njerëzit nuk lindin të mëdhenj, bëhen të mëdhenj. Cila është historia juaj si historian?
REXHEPI: Kurdoherë jam përpjekur të jap kontributin tim profesional, duke u ngritur hap pas hapi, fillimisht si mësimdhënës në shkollë fillore, të mesme (Gjimnazi i Tetovës) dhe tani më prej një dekade në Universitetin e Tetovës – Fakulteti Filozofik, ku përpos si ligjërues i historisë, edhe prodekan, një detyrë me mjaft përgjegjësi. Në vitin akademik 2006/07 jam angazhuar në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin Filozofik – Departamentin e historisë, fillimisht si asistent dhe më pas si ligjërues i rregullt, në Historinë e diplomacisë dhe Historinë e Integrimeve Evropiane. Për një periudhë fare të shkurtër kam marrë pjesë në një numër të madh të konferencave shkencore, prej ku shumica e punimeve janë botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht jam duke punuar në tre projekte paralele (vepra shkencore), të cilat besoj se nuk do të vonojnë për të parë dritën. Pra, vetëdijshëm kam kaluar nëpër rrathët e jetës, qoftë të edukimit familjar, qoftë të arsimimit tim ndër vite. Jam nga ata mësimdhënës që dua të ec në trend me kohën, ta kuptoj botën e të rinjve dhe rolin e mirëfilltë të një ligjëruesi të përkushtuar përpara studentëve. Veprimtaria ime në sferën e mësimdhënies, sikurse edhe ngritja shkencore është evolutive, sipas parimit shkallë-shkallë. Në këtë ecejake profesionale, fillimisht e kam pasur mbështetjen e prindërve të mi të ndjerë, ndaj të cilëve janë të pakta fjalët që do të mund të përshkruanin mbështetjen e tyre. Aktualisht, mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme do të shprehja për bashkëshorten time, Zejnepe Alili Rexhepi: pedagoge, studiuese, poete, albanologe në Fakultetin Filologjik – Universiteti i Tetovës, me të cilën, tashmë afro 20 vjet bëjmë rrugëtim të përbashkët si dy profesionistë të vlerësuar dhe miq të mirë! Kjo është më shumë se përmbushje shpirtërore që i duhet çdo njeriu. Pjesë e jetës sonë është Andra (bija jonë), energjia dhe dashuria ime e papërshkruar.