Berlin, 23 qershor – Me titullin “Thjeshtri i kontinentit”, “Shpigel” shkruan se Bashkimi Evropian po humb simpatinë ndër banorët e “hapësirës në mes Bosnjës e Maqedonisë”. “Në Ballkan, rajon historikisht krizash në Evropë, kontinentit i kërcënohet rreziku i sigurisë. Fuqia tërheqëse e BE-së po bie, retorika e dikurshme nacionaliste po kthehet,” shkruan kjo gazetë. Autorët theksojnë se Kosovës, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë në samitin e Selanikut më 2003 iu ishte premtuar e ardhmja në Bashkimin Evropian, dhe se atëherë në Ballkan zotëronte atmosfera e optimizmit. këto vende tani janë të dëshpëruara, meqë Bashkimi Evropian kryesisht po merret me vetveten, me krizën e euros, rrezikun nga “populistët” dhe “brexitin”. Tundimi i Perëndimit u ka shërbyer të tjerëve që tash po realizojnë ndikimin e vet në Ballkan, e këta në radhë të parë janë Rusia dhe Turqia, si dhe “financuesve të rinj nga Gjiri Persik. “Ata që në verën e hershme të vitit 2017 udhëtojnë nëpër Kosovë dhe tutje – Maqedoni, republikën më jugore të ish-Jugosllavisë, si dhe në Bosnjë e Hercegovinë, udhëtojnë nëpër një rajon gati të harruar – paradhomë të Evropës së bashkuar. Atje jetojnë njerëz të cilët dalëngadalë po e humbin durimin. Pasoj janë emigrimi, islamizimi, nacionalizmi, konfliktet në Shkup dhe tiradat shqiptare të Prishtinës dhe Tiranës, të gjitha këto tregojnë se sa është e acaruar situata. Pjesën për Kosovën ky artikull e nis me tregimin për “njeriun i cili dëshiron të bëhet shef i Qeverisë së Kosovës” – Ramush Haradinajn, i cili ishte i “akuzuar për krime kundër njerëzimit për 37 raste, ndër të tjera edhe për vrasje e tortura”. “Akuzat u referohen viteve të nëntëdhjeta, kur ai ishte komandant i UÇK-së. Gjykata atë e liroi, pasi” – siç shkruan kjo gazetë – “dëshmitarët në momentin e fundit hoqën dorë nga dëshmimi, ose vdiqën papritmas. Në një raport të policisë së KB veterani i UÇK-së akuzohet për tregti me kokainë”. “Shërbimi informativ gjerman më 2005, në një analizë madje e përshkruan si shef të grupit që merret me spektrin e përgjithshëm të aktiviteteve kriminale. Megjithëkëtë, Haradinaj javë më parë ia ka dalë me mjeshtëri të korrë fitore në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Tridhjetë e katër për qind e votave tani i japin të drejtën të kërkojë për vete partnerë për formimin e qeverisë”, transmeton Koha.net shkrimin e “Shpigelit”. Duke shkruar gjerësisht jo vetëm për Ramush Haradinajn, por edhe për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili “në vitet e nëntëdhjeta ishte njëri nga themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë paraushtarake Çlirimtare të UÇK-së, gazeta rikujton se edhe “Thaçi kërcënohet të dalë para Tribunalit të Hagës për shkak të krimeve të rënda të luftës”. Duke bërë fjalë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, autorët përshkruajnë një situatë të rëndë ekonomike dhe papunësi të madhe, si dhe forcimin e islamizmit. “Perëndimi aktualisht nuk e di çfarë të bëjë me Kosovën. NATO më 1999 me sulme ajrore i dha fund terrorit të regjimit të Millosheviqit mbi popullsinë shumicë shqiptare. Vetëm deri në vitin 2008 Kosova i ka kushtuar bashkësisë botërore 33 miliardë euro. Ky shpenzim sqaron pse as Uashingtoni, as Berlini shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, nuk e shohin ashtu siç është në fakt – mëkat juridik ndërkombëtar në historinë e Evropës së pasluftës. Presidenti rus, Vlladimir Putin, thirret në Kosovën kur dëshiron të arsyetojë aneksimin e Krimesë, ose të Abhazisë mbretërisë së tij”, shkruan “Shpigeli”. Në këtë artikull përmendet edhe çështja e serbëve të Kosovës dhe rasti i qytetit të ndarë të Mitrovicës. Shkurtimisht përmendet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “tani ka lënë fare pak hapësirë për dyshime nëse është i gatshëm që për perspektivën e hyrjes së vendit të tij në BE sakrifikon atdheun e serbëve të Kosovës”.
MOSKA PO DËSHTON, PLANET STRATEGJIKE NË BALLKAN U PRISHËN
“Planet strategjike të Moskës në Ballkan po dështojnë”, thotë “think tank”-u me seli në Londër, “IISS”. Përpjekjet ruse për të krijuar një bllok prej 4 shtetesh neutrale, ose mbështetëse të Kremlinit, kanë marrë – sipas ekspertëve, – një goditje të fortë, sidomos në Maqedoni e Malin e Zi. Duke hedhur poshtë pretendimet e lëshuara në mediet britanike e ato perëndimore, se “retë e luftës po grumbullohen sërish mbi Ballkan”, Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike thekson se, rreziku më i madh nuk është ky, por depërtimi i Rusisë në rajon. Të shënjestruara prej Moskës për t’u kthyer në vende mike janë Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia. Në ndjekjen e këtij objektivi është krijuar ngadalë një rrjet mediash dhe organizatash proruse në mbarë rajonin. Plot 109 të tilla ekzistojnë vetëm në Serbi, në Maqedoni ka rreth 30, ndërsa është punuar për të ushqyer edhe marrëdhëniet me partitë proserbe, VMRO-DPMNE-në në Maqedoni dhe Frontin Demokratik opozitar në Malin e Zi. Mekanizmat kryesore ruse të ndikimit në Ballkan përfshijnë faqe interneti, të cilat promovojnë dhe mbulojnë në lavde Vladimir Putinin e fuqinë ushtarake të Rusisë, duke i bërë jehonë linjës zyrtare të “Russia Today” dhe “Sputnik”. Megjithatë, rezultatet e kësaj fushate – sipas “IISS”, – kanë qenë larg atyre të dëshiruara prej Moskës. Në Maqedoni, VMRO-ja u detyrua të lërë pushtetin, ndërsa Mali i Zi u bë pjesë e aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut, pavarësisht kundërshtimit të tërbuar të Kremlinit. “Për rrjedhojë, pothuajse i gjithë bregu verior i Mesdheut, nga Gjibraltari deri në kufirin sirian është tani nën kontrollin e NATO-s, – vazhdon “think tank”-u, – dhe flota ruse do ta ketë të pamundur qasjen e shumëdëshiruar në mjediset portuale të Malit të Zi.
QEVERIA E RE, MISION I VËSHTIRË
Deputeti i Bundestagut gjerman, Torsten Frei e sheh një mision të vështirë, thuajse të pamundur formimin e qeverisë së re të Kosovës nga rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit. Duke folur për DW, ligjvënësi gjerman, një njohës i mirë i Ballkanit dhe veçanërisht i shqiptarëve, thotë se roli i LDK-së do të jetë vendimtar në këtë pjesë. “Formimi i qeverisë do të jetë me të vërtetë shumë i vështirë dhe ndoshta do të ketë rëndësi LDK dhe aleanca e saj. E quaj të gabuar që të bëj parashikime, meqenëse nuk mund të përjashtohen as zgjedhjet e reja”, deklaroi ai. Frei thotë se nga këto zgjedhje, koalicioni i njohur si “krahu i luftës” kanë dalë të humbur, ndërsa komenton edhe deklaratat e Ramës dhe Thaçit që folën për bashkim të shqiptarëve nëse nuk ecet me shpejtësi në procesin e integrimit në BE. “Unë shoh para së gjithash motive të politikës së brendshme, po të bëhen me të vërtetë deklarata të tilla. Por natyrisht që është jashtëzakonisht e rrezikshme që të luash për shkaqe të politikës së brendshme me zjarrin etnik. Prandaj nuk kam asnjë mirëkuptim për deklarata të tilla”, thotë ai.