Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se Ballkani i Hapur nuk ka më kthim pas sado kundërshti e zëra kritikë të shfaqen ndaj nismës që nxit paqen dhe integrimin.
Duke iu kundëpërgjigjur deklaratave nga Kosova të Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani u shpreh kundër Open Ballkan, Rama thotë se Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot.
“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot,” shprehet Rama përmes një reagimi në Twitter.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ndryshe nga Kryeministri Abazoviç, shprehet se nuk janë pjesë e iniciativës “Open Balkan” dhe se Procesi i Berlinit është nisma që i duhet Ballkanit dhe jo “Open Balkan”.