Si shumë të tjerë në rajon, unë vërej dinamikë e zhvillime, veçanërisht në diskursin e nacionalizmit të “Serbisë së Madhe”, të çuar përpara nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe të deleguarit e tij, nën flamurin “Bota Serbe, thotë amerikani Eduard P. Josef, njohës i mirë i Ballkanit
Shkup, 8 gusht – Rreziqet e të ashtuquajturës “Open Balkan” nuk janë kuptuar mirë, edhe pse ato janë të qarta për shumë njerëz në Ballkan. Po, unë kam shërbyer për rreth 12 vite në rajon, duke përfshirë vitet e luftës në të gjitha vendet e konflikteve. Si shumë të tjerë në rajon, unë vërej dinamikë e zhvillime, veçanërisht në diskursin e nacionalizmit të “Serbisë së Madhe”, të çuar përpara nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe të deleguarit e tij, nën flamurin “Bota Serbe”. Kështu për Dojçe Velen thotë Eduard P. Josef, njohës i mirë i Ballkanit, profesor në “John Hopkins School of Advanced International Studies” në SHBA, ndërkohë që për 12 vite ka punuar në Ballkan, duke përfshirë vitet e luftërave dhe konflikteve të rajonit. Për nismën “Open Balkan”, ku merr pjesë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, thotë se minon “Procesin e Berlinit” dhe i jep më shumë fuqi ekonomike dhe politike Serbisë. Ambiciet nacionaliste serbe janë shqetësuese, shprehet Josef.
NJË RREZIK QË MUND TË ÇOJË NË PËRKEQËSIMIN E PROBLEMEVE POLITIKE
“Nisma ‘Open Balkan’, (Ballkani i Hapur) nuk është vetëm një shpërqendrim nga problemet thelbësore të rajonit – të cilat janë politike, por në fakt është një rrezik që mund të çojë në përkeqësimin e këtyre problemeve politike. Problemet e ‘Open Balkan’ mund t’i përmbledhim në këtë formë: ‘teori e dyshimtë, strukturë naive dhe pasoja të rrezikshme’. Po nis me teorinë e pretenduar: ‘Tregtia është e barabartë me besimin’. Kështu e përshkruaj unë. Fatkeqësisht, kjo teori bie ndesh me realitetin. Mjafton të shikoni agresionin e tërbuar rus ndaj Ukrainës. Deri më 24 shkurt, Rusia dhe Ukraina kishin një bashkëpunim gjigant tregtar, me vlerë afër 10 miliardë dollarë në eksport-importe. Ndërkohë që flasim, Kina po dirigjon manovra agresive ushtarake ndaj Tajvanit, një vendi që eksporton mallra në vlerë rreth 273 miliardë dollarë drejt Kinës, ku përfshihen edhe gjysmëpërçuesit elektrikë. Kina është partneri tregtar nr.1 i Tajvanit, duke mbizotëruar 1/3 e ekonomisë vendase. Dhe, sipas teorisë së ‘Open Balkan’, të gjithë këto vende duhet të ishin në paqe. Përkundrazi, ata ose janë në luftë, ose në hapat drejt një lufte. Mbështetësit e ‘Open Balkan’ duhen pyetur për të dhënë një shpjegim rreth kësaj logjike”, thotë Josef, ndërsa përmend Serbinë nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiç, e cila ka ambicie territoriale dhe politike dhe po destabilizojnë fqinjët e tyre.
“Serbia është partneri nr.1 i Malit të Zi për importet dhe eksportet. E besoni këtë? Ekziston një mosbesim i gjerë ndaj ‘Open Balkan’, veçanërisht në mesin e atyre që rrezikohen nga agresioni serb. Mund t’iu them se pasi kam vizituar pesë shtete të rajonit, zyrtarë të një shteti që është pjesë e nismës e pranojnë qartazi faktin, se Vuçiç po ndërton një pushtet agresiv dhe anti-demokratik. Përkrahësit e ‘Open Balkan’ duhet të përballen dhe të marrin në konsideratë faktin se ngado ka kundërshtim dhe mosbesim për këtë nismë. Sa i përket ‘sondazheve’ që gjoja tregojnë mbështetje të gjerë për nismën, mjafton të kontrolloni mënyrën se si janë formuluar pyetjet, sipas të cilave ‘Open Balkan’ është vetëm nismë pozitive. Nuk ka asnjë mundësi për të shprehur pakënaqësitë apo ndonjë alternativë tjetër”.
Sipas tij, thelbi është se nisma në vetvete – pavarësisht motiveve ose qëllimeve, është shumë problematike.
“E kam shprehur edhe më herët se pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e pranojnë ‘Open Balkan’, sepse ato nuk kërcënohen drejtpërdrejt nga ambiciet nacionaliste serbe, të shpërfaqura nga Vuçiç. ‘Bota serbe’ nuk ka të bëjë me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut. Në mënyrë ekstravagante, Vuçiçi u thotë maqedonasve se ai nuk e sfidon gjuhën e tyre (siç bëjnë bullgarët), por Vuçiçi mbështet përpjekjet që minojnë identitetin e Malit të Zi. Është e qartë si kristali: nacionalizmi serb është kërcënim për malazezët, jo për maqedonasit, edhe pse këta të fundit e kuptojnë mjaft mirë se si ‘Open Balkan’ do ta përforcojë nacionalizimin serb të Vuçiçit”, thotë Eduard P. Josef, njohës amerikan i çështjeve të Ballkanit. Josef ndër të tjera thotë se është vetëm Serbia ajo që do të përfitojë gjithmonë më shumë se të tjerët.
“Ky është një tjetër gabim thelbësor i ‘Open Balkan’. Mbështetësit e saj flasin sikur të gjitha ekonomitë e rajonit kanë të njëjtat përmasa dhe tipare. Ato nuk janë njësoj. Për shembull, ekonomia e Serbisë është rreth 14 herë më e madhe se ajo e Malit të Zi. Ekonomia e Serbisë është rreth 2 herë më e madhe se ekonomitë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të marra së bashku. Serbia do të përfitojë gjithnjë më shumë se sa fqinjët e saj dhe do të jetë në gjendje të prodhojë mallra me vlerë të lartë eksporti, duke u bërë kështu akoma më dominuese. Kjo fuqi ekonomike përkthehet në fuqi politike. Shihni Gjermaninë në Bashkimin Evropian dhe do ta kuptoni. Kujtoni që fqinjët e Gjermanisë, si për shembull Franca, ishin të shqetësuar për fuqinë ekonomike gjermane edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Franca dhe shtetet e tjera evropiane nuk donin që Gjermania të kishte akses tek qymyri dhe resurset e tjera. Franca nuk pranoi një nismë ‘Open Europe’ me Gjermaninë, derisa u sigurua që marrëdhëniet tregtare do të zhvilloheshin nën një ombrellë të barabartë e gjithëpërfshirëse. Ajo strukturë ishte baza e Bashkimit Evropian që ne njohim sot”, sqaron Josef.
MË SHUMË PUSHTET PËR VUÇIÇIN
T’i japësh më shumë pushtet një shteti autokratik si Serbia nën udhëheqjen e Vuçiç, thotë eksperti amerikan për Ballkanin, është papërgjegjshmëri. “Do të ishte ndryshe nëse Serbia do të ishte demokraci e përkushtuar, që përqafon rendin e Perëndimit. Çka është e logjikshme, është ndjekja e një modeli bashkëpunimi ekonomik nën një ombrellë më të gjerë. Në këtë rast, një ombrellë që këmbëngul në respekt reciprok, gjithëpërfshirje, vlera të BE-së dhe një shtet mbikëqyrës gjithëpërfshirës si Gjermania. T’i japësh më shumë pushtet një shteti autokratik si Serbia nën udhëheqjen e Vuçiç, është papërgjegjshmëri”. Dhe, vazhdon më tej Josef, “Open Balkan” minon “Procesin e Berlinit”.
“Dhe jo vetëm ‘Procesin e berlinit’, por ‘Open Balkan’ minon edhe disa nisma të tjera në rajon, përfshirë CEFTA-n dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, që ndihmon në koordinimin dhe promovimin e hapave konkretë. Ka pasur arritje, si marrëveshja e Roaming. Megjithatë, ajo çka është domethënëse rreth pozicionimit rus në ‘Open Balkans’, është mbështetja nga Moska. Lavrov shprehu hapur mbështetjen e Rusisë ndaj kësaj nisme. ‘Sputnik Serbia’ ka publikuar dhe publikon shumë artikuj me tituj shumë mbështetës ndaj ‘Open Balkan’. Rusia i kupton fare mirë efektet e kësaj skeme për Beogradin dhe Vuçiçin, jashtë sistemit të vlerave të Bashkimit Evropian”. Fatkeqësisht, thotë Josef, “Open Balkan” po legjitimon Aleksandar Vuçiçin si “partner”, edhe pse ai mbështet hapur Rusinë dhe nënshkruan marrëveshje energjie me mikun e tij, Putinin. “Ka dy zgjedhje për Ballkanin: adresimi i problemit të ‘avantazhit’ serb ndaj Kosovës dhe fqinjëve të saj, që shfrytëzohet nga një autokrat si Vuçiç ose të pretendosh se Aleksandar Vuçiçi është një ‘partner’, i cili papritmas do të sillet si demokrat, nëse Serbia fiton qasje tek të njëjtët fqinjë që rrezikohen nga Beogradi”.
NJË OPONENCË E FORTË NDAJ NJË NISME
Deklarata e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, se nisma “Open Balkan” do të përfundonte me zhbërjen e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës, më duket domethënëse për një arsye madhore – konfirmon realitetin që mbështetësit e “Open Balkan” injorojnë: kundërshtitë e forta, thotë Josef. “Nuk ka rëndësi se çfarë mendimi keni për Gjukanoviçin ose Albin Kurtin, ose për udhëheqësit boshnjakë apo kroatë që ndajnë shqetësime të ngjashme. Më e rëndësishmja është që ka një oponencë të fortë ndaj një nisme për të cilën mbështetësit e saj thonë se ka të bëjë ‘vetëm me krijimin e vendeve të punës dhe fuqizimin e ekonomisë’. Mbështetësit e saj duhet t’i bëjnë vetes një pyetje: pse kundërshtohet kaq shumë nisma jonë (gjoja) dashamirëse? Pse e kundërshtojnë atë? Përgjigjja do të ishte: atëherë nëse ka kaq shumë kundërshti, nisma s’mund të jetë krejtësisht dashamirëse. Këto shqetësime duhet të jenë legjitime. Mbështetësit duhet të dëgjojnë kundërshtitë e skeptikëve në rajon, në vend që t’i shtyjnë ata për ta pranuar këtë nismë”, thotë në fund të intervistë eksperti amerikan për Ballkanin, Eduard P. Josef.