Bashkimi Europian, para se t’i sjellë eurot, për të na joshur neve të Ballkanit, duhet t’i merr frenat nga duart e ‘mysafirëve të paftuar’. Së pari duhet t’ua bëjë me dije ‘mysafirëve të pa ose të ftuar’, se kjo avlli ka tapi. Dhe se – tapinë e Ballkanit e posedon BE-ja dhe se, prej tashti e tutje, me vendosmëri dhe përgjegjësi do kujdeset si pronar me tapi të kësaj avllie. Mysafirëve, duhet t’u “bjerrë nga shkelm në prapanicë” dhe t’ua tregojë rrugën për t’u kthyer, andej kah kanë ardhur. Kaq lehtë apo jo, BE
Nga Shaqir ISLAMI
Javën e kaluar Ministri Gjerman, pat pohuar – me rastin e një fjalimi, ku kishte pasur të bëjë me rajonin tonë të anashkaluar dhe braktisur nga Europa – gjoja se, demek, Ballkani gjithashtu, është avlli e Europës. Ministri e paskësh theksuar mirë, se Ballkani më, nuk është avlli i jashtëm – siç na pat trajtuar deri më tashti – mbase, qysh prej sot do trajtohet si avlli e brendshme e saj. Mashallah, BE ve dorë mbi Ballkanin, për nime! E thash, sa për të mos e marrim mësysh BE’në, e të na bëhet pishman !!??
Pasi, e paskësh thënë ‘gjermani’ – unë i besoj fjalës së ‘gjermanit’. Dhe kam arsyen, pse ? Thjesht ngase, njihet në botë, për ndershmërinë, seriozitetin, besën – ta them troç, ‘gjermani’ nuk bën pallavra dhe nuk harxhon fjalë boshe. Edhe fjalët e mira edhe të këqijat t’i flet në sy. Të këtillë e njeh e mbarë bota. Nuk e them vetëm unë! Ky popull – sot njihet, për Besën që e jep dhe mbron me çdo kusht! Këtë virtyt ua ka rrënjosur rahmetli Immanuel Kanti, mbase, në mendësinë e tyre gjithmonë duhet të thuhet dhe mbrohet e vërteta; edhe nëse kushton me jetë!!! Pra, kështu i ka mësuar rahmet pastë shpirtit të Kantit. Dhe i ka bërë njerëz të besës -mbarë këtë popull. Edhe gjyshi im pa dije shkrim-leximi thoshte: Gjermani nuk bën dallavere, … nuk ta han hakun. Ai fliste nga përvoja kur kishte shitur vezë e bylmet ushtarëve Gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa, sot këtë e vërtetojnë të gjithë ( e nuk janë pak) ‘gastarbajterët’ tanë, të cilët bëjnë be në ‘gjermanin’.
Ne shqiptarët – këtë tipar thelbësor të karakterit tonë kombëtar, si njëra ndër trashëgimitë më të shenjta nga të lashtët tanë dhe si nishan i thadruar në ballin e popullit tonë – virtytin e Besës e kemi përbaltur, nëpërkëmbur, shkelur, dhe prandaj jemi në këtë derexhe të njerëzillëkut. Nga vetja, kemi krijuar një karikaturë pa shije, e cila i çon miq e armiq që të gërditen dhe të pështirën nga emri Shqiptar.
Po se po, ky ishte lajm i mirë për Ballkanin dhe – sidomos – për vendin tonë. Dhe duhet t’i themi Europës, bujrum në avllinë tënde të braktisur, tashmë një shekull e çerek. Kjo avlli – qysh deri dje – në shumë mënyra dhe variacione, e ka gërryer dhe përçarë Bashkimin Europian. Ilaç i mirë për bashkimin e europianëve mund të gjendet në mjedisin e avllisë sonë, dhe nga sjellja jonë.
BE ka një hall të madh me avllinë e vet të brendshëm. Ballkanin – tashmë një kohë të gjatë – e kanë zaptuar disa ‘mysafirë të paftuar’ për disa, dhe të ‘ftuar qëllimisht’ nga disa. Këta mysafirë të paftuar e kanë pushtuar dhe bile, kanë lëshuar rrënjë të thella në avllinë e braktisur të Europës. Dhe vallahi, ata ndjehen rehatshëm, .. kisha shtuar, bajagi të rehatshëm. Qysh moti, mbjellin dhe korrin në tokë të huaj. Dhe vjelin! Dhe kanë fabrikuar miq dhe argatë si ‘shtylla të pesta’, në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë. Çdo zanat dhe profil njerëzish, nga hoxhallarë e priftërinj, gazetarë e shkrimtarë, doktorë e profesorë, … e deri mullënjxhi e samarxhi dhe berberë e nallbanë. Saqë, Ballkani është një katrahurë idesh, ithtarësh dhe tifozllëku.
Në Ballkan mjafton xixa, që të bëhet hataja! Këtë e ka parë dhe e ka ndjerë Europa, .. edhe atë shumë herë. Dhe e ndjen edhe sot. Por, vetë është fajtore, pasi e ka shpërfill tapinë dhe pronësinë ndaj kësaj avllie të djerrë nga informacion i helmuar.
Bashkimi Europian, para se t’i sjellë eurot, për të na joshur neve të Ballkanit, duhet t’i merr frenat nga duart e ‘mysafirëve të paftuar’. Së pari duhet t’ua bëjë me dije ‘mysafirëve të pa ose të ftuar’, se kjo avlli ka tapi. Dhe se – tapinë e Ballkanit e posedon BE-ja dhe se, prej tashti e tutje, me vendosmëri dhe përgjegjësi do kujdeset si pronar me tapi të kësaj avllie. Mysafirëve, duhet t’u “bjerrë nga shkelm në prapanicë” dhe t’ua tregojë rrugën për t’u kthyer, andej kah kanë ardhur. Kaq lehtë apo jo, BE?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)