Galaktikat plasin edhe në shtete të tjera, me yjet zjarr me një Shqipëri e cila po përjeton një vit të rëndë politik me reformën e përfolur në drejtësi, me Kosovën që gjithashtu e pret Gjykata Speciale, me Serbinë, që vërtitet si gjarpri të marr tokë edhe ku të mundet, e me vende si Bosnja, ku pavarësimi është përgjysmë dhe provon përditë helmin serb…
Nga Dionis XHAFA
Gjendemi gjeografikisht dhe jetojmë përditë në Gadishullin Ballkanik, një tokë që përfshin goxha territor, me shumë shtete, ku disa janë miq e disa armiq, tamam si klanet jetësore. Dhe të jetosh në Ballkan është një fantazi më vete dhe realitet gjithashtu më vete, i ndryshëm me siguri nga çdo vend tjetër në këtë planetin tonë kaq të mistershëm. E një njeri që ndjek zhvillimet politike të gadishullit të vet me siguri që më së paku bën habi me atë që ka ndodhur. Kjo sepse, këto kohë, patjetër që mund të thuash se jetojmë në Ballkan “aty ku plasin galaktikat dhe tronditen tokat”. “Plasin galatikat” do të thotë që ndryshojnë gjërat dhe sendet apo shprehitë e emërtimet për një kohë tepër të shkurtër, sa hap e mbyll sytë, sapo ikën nata dhe vjen dita. Kështu ngjau me emrin e Maqedonisë, teksa ndryshoi emrin me konsensus mes dy qeverive, të Shkupit dhe Athinës, kaq shpejt, kaq mrekullisht dhe artificialisht në të njëjtën kohë, sikur të ishte një send që ia shton një zbukurim e jo se bëhet fjalë për shtete e kombe. Gjithsesi, mund të themi se “galaktika plasi” për mirë, në kuptimin që më në fund kemi mirëkuptim, edhe tek i cili duhet skepticizëm. Galaktikat plasin edhe në shtete të tjera, me yjet zjarr me një Shqipëri e cila po përjeton një vit të rëndë politik me reformën e përfolur në drejtësi, me Kosovën që gjithashtu e pret Gjykata Speciale, me Serbinë, që vërtitet si gjarpri të marr tokë edhe ku të mundet, e me vende si Bosnja, ku pavarësimi është përgjysmë dhe provon përditë helmin serb. Të gjitha rastet po i shqyrtoj një nga një.
REPUBLIKA E MAQEDONISË SË VERIUT
Thuajse nuk mund ta besosh se tashmë nëse ikim në Maqedoninë e dikurshme, në tabela shkruhet “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Duket si një ëndërr, si një gjë e cila ndryshoi si dita me natën. Ndërsa ndryshimi i emrit ngjan dhe ka artificialitet disi, por ndryshoi gjërat gjithashtu për mirë. Kjo sepse Maqedonia e Veriut tashmë mund të hyjë në BE, NATO, sipas asaj që i takon, sipas meritës. Mirëpo, emri nuk zgjidh gjithçka dhe tronditja njerëzore, jetësore, vijon.
Menjëherë pas miratimit të emrit, në këtë Republikë ndodhi një aksident i tmerrshëm, në autostradën Shkup-Tetovë, me pasagjerë kryesisht nga Gostivari, ku viktima mbetën shqiptarë dhe sllavë. Kjo nënkupton se pavarësisht ndryshimeve madhore, duhet të kapet thelbi, të ndryshohet shteti, të mos ketë trazime dhe as tragjedi, megjithëse shpesh edhe këto incidente të rënda janë edhe prodhim i fatit të marrë. Mirëpo, diçka është e qartë si rrezja e diellit. Me ndryshimin e emrit, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk zgjidhi gjithçka, por duhet punë, tepër punë, për të integruar vendin në organizma me rëndësi europiane dhe botërore.
KOSOVA, FËMIJA QË LËNGON NGA LIRIA E MUNGUAR
Kosova ka mbushur 11 vjet dhe tashmë ngjan si fëmija që ka mbushur një farë moshe, por se e ka të vështirë të ecë me këmbët e veta. Taksa e vënë ndaj Serbisë duket si fëmija që nuk pranon atërimin, SHBA-të, por se edhe ky rebelizëm kaq i madh, ka gjasa ta prek më tepër pikërisht Kosovën. Ndërkohë, nga ana tjetër ky vit pritet vendimtar sa i takon Gjykatës Speciale, ku do të gjykohen krimet e supozuara të luftës. A do të kemi shkrirje të shkrirje të klasës politike në vend, apo të njëjtët do të vazhdojnë?
Tjetër pikë është ajo se vendin e ka kapluar tmerri me ngjarjet e fundit, ku vend ka imoraliteti dhe perversiteti, ndërsa këto s’janë gjë tjetër përpos aspekte të korruptimit dhe nepotizmit të përhapur kudo në Kosovë, siç e dëfton profesor Rexhep Qosja. Kosova, si fëmijë që është, si ëndërr, si tullumbace lirie, duhet të jetë lule, në çdo formë dhe shpresa është ta shohim dritë e qiell.
SHQIPËRIA; PUSHTET, KRIM DHE SHPRESË E VENITUR
Shqipëria, ajo që konsiderohet “mëma” e shqiptarëve, kudo ata jetojnë nga Presheva deri në jug e ndoshta në vise të Greqisë së sotme, ndodhet në një udhëkryq po ashtu të madh. Kemi protesta opozitare dhe një pushtet i fortë, që është bërë thuajse putinizëm me kryeministrin e vendit në krye, në revanshin e madh, që nuk njeh limit, ndërsa në pikëpyetje është nëse do të hapen apo jo negociatat, ndërsa pritet të shihet sa do realizohet reforma në drejtësi.
SERBIA, PROPAGANDA E RE, FYTYRA E VJETËR
Për Serbinë, në tëra aspektet që e përfshijnë, mund të thuhet se kemi të bëjmë me propagandë të re, por është ajo e fytyrë e vjetër, antishqiptare, anti-Kosovë dhe anti-Bosnjë, që me gjak e lan humbjen e vet në fund. Një shtet, si kafshë e keqe mbi Kosovë, që dëshiron edhe gllabërim tokash, ku politika dhe krimi dyshohet të jenë përlyer keqas. Ndërsa, teksa ka hyrë si dhëmb i keq në Bosnjë, duket problematike në revanshin e vet me iniciale dhune. Edhe në Serbi, kur “qiejt” premtojnë BE-në, vendi ka krim e gjak. Ndërsa edhe shtete të tjera në Ballkan, mund të thuhet se trazimet janë pjesë e secilës, në format e veta, të ndryshme nga njëra-tjetra dhe nga njëri vend në tjetrin.
KU PLASIN GALAKTIKAT DHE TRONDITEN TOKAT
Ballkani është pas Europës në mentalitetin e vet në formën si jetohet jeta. Galaktikat kur plasin në të shpeshherë shkojnë për mirë, por se ata shpërthejnë jo pa dhunë, jo pa gjak, si feliksi që për të fluturuar sërish pas vdekjes, duhet më së paku të bjerë në gjendje të rëndë. E, goditjet për hir të universit dhe të lirisë së plotë, do të ndodhin, e ndoshta do t’ia vlejnë, nëse qiejt lyhen me ngjyra të shumëllojshme, me iniciale dëshire për liri e zhvillim. (koha.mk)