Gareth Bale është bërë i fortë. Ai dëshiron të vazhdojë te Real Madridi edhe sezonin e ardhshëm, qoftë edhe duke ngrohur stolin. Kështu bën me dije sot gazeta “AS”. Edhe pse Zidane ia ka bërë shumë të qartë, se nuk është në planet e tij, uellsiani nuk do të largohet. Madje, këtë gjë e ka bërë të ditur për klubin, personalisht. Në takimet e para ishte Jonathan Barnett, agjenti i tij, që e konfirmoi vendimin në klub.
Megjithatë, para se të nisej me pushime, vetë futbollisti kërkoi një takim me drejtuesit e të bardhëve, ku përcolli qëndrimin e tij. Gareth jo vetëm u tha atyre se donte të vazhdonte në Madrid, por qëllimi i tij ishte të mos dëgjonte asnjë ofertë tjetër. Pra, mendja e tij punon vetëm për “Bernabeu”. Në Madrid kanë mbetur shumë të befasuar nga vendimi përfundimtar i Bale, duke e ditur se çfarë e pret me trajnerin Zidane.
Për pasojë, drejtuesit kanë filluar ta llogarisin pjesë të skuadrës së bardhë sezonin e ardhshëm. Largimi i tij ishte i komplikuar, pasi ekipi që ta kërkonte duhej të përballej me një pagesë të madhe, si në çmimin e transferimit, ashtu edhe të pagës së uellsianit. Por, me futbollistin e vendosur në pozicionin e tij, largimi bëhet një mision gati i pamundur. Sot për sot është më afër qëndrimit te “Los Blancos”, se sa të largohet.
Uellsiani do të ketë një rol dytësor me Zidane, por ajo që e shqetëson më shumë Real Madridin është se lojtari duket se po kujdeset më shumë për aspektet ekstra-sportive se sa për ato sportive. Në bisedën me drejtuesit, ku përcolli qëllimin e tij për të qëndruar, Bale ekspozoi motivet: si ai, edhe familja, janë shumë rehat në Madrid. Atij i pëlqen klima në kryeqytetin spanjoll; fëmijët janë përshtatur me jetën aty. Po ashtu, vetë Gareth ka gjetur një vend të përsosur për të zhvilluar pasionin e tij të madh, golfin. Bale është vizitor i rregullt i “Real Club La Moraleja”, ku kalon pjesën më të madhe të kohës së tij të lirë.
Bale beson se asnjë klub në botë nuk do t’i paguajë atij atë që kërkon, nëse largohet nga kryeqyteti spanjoll (17 milionë euro neto) dhe, në këtë skenar, po e vlerëson jetën personale më shumë se atë sportive. Ai e di se do të ketë pak minuta me Zidane, por ka një faktor që nuk e shqetëson shumë: rehatia e familjes dhe paga e majme që merr.