Gareth Bale dhe mjekët e Real Madridit duket se kanë punë sërish me këmbën e majtë. Një skenë, që është bërë kronike për uellsianin. Dje, në “Estadio de la Cerámica”, ylli i “Los Blancos” pësoi lëndimin e tetë në atë zonë të trupit dhe të 22-tin në total, në Madrid.
Është hera e trembëdhjetë, që ai duhet ta braktisë një ndeshje për shkak të një problemi fizik. Në total, 84 ndeshje i ka humbur si lojtar i Real Madridit për këtë arsye. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një futbollist prej kristali… Bale është i fiksuar me problemet muskulore të këmbës, sa ka hequr dorë edhe nga drejtimi i Lamborghini, sepse mendon se ngarja e makinës është e dëmshme.
Dhe ndërkohë, Real Madridi jeton me plagët e tij si psikozë. Një vit e tre muaj më herët është bërë raporti i tij i fundit zyrtar mjekësor (tetor 2017) dhe që atëherë ka qenë i lënduar tri herë. Pa asnjë njoftim. Një politikë e errësirës, që tashmë e ka lënë dy ndeshje jashtë uellsianin dhe nuk është përdorur në disa ndeshje të tjera.
Dje, Solari, në intervistën e dhënë për “Movistar +”, tha se Gareth ka pësuar një goditje dhe se problemi i tij ishte mbingarkesa muskulare. Pra, shërimi i tij do të jetë mister i njëpasnjëshëm.