Gareth Bale do të mungojë në ndeshjen e nesërme të Real Madrid kundër Athletic Bilbao, si pasojë e një dëmtimi muskulor. 28-vjeçari nga Uellsi, pas dy muajsh mungesë, u rikthye në barazimin 2-2 që Real Madrid arriti ndaj Fuenlabrada për Kupën e Mbretit, ku i shënoi të dy golat për “Los Blancos”, por trajneri Zinedine Zidane ka konfirmuar se futbollisti i blerë për 100 milionë euro në vitin 2013 është sërish i padisponueshëm.
“Unë besoj te aftësitë e Bale, ashtu si të gjithë pjesëtarët e tjerë të Real Madrid, por duhet t’i japim ende kohë që të jetë gati plotësisht. Mendoj se pas një jave mund të luajë…”, konfirmon Zidane.
“Bale nuk ka asgjë serioze këtë herë, ka pasur një shqetësim të vogël muskulor, por duke parë problemet që ka pasur kohët e fundit kemi vendosur të mos rrezikojmë me aktivizimin e tij ndaj Bilbao, – deklaroi Zidane. – Ai është një futbollist i fuqishëm, që shumë shpejt do të jetë në dispozicion të skuadrës, por duhet të kalojë edhe këtë problem që uroj të jetë i fundit. Duhet të tregohemi të durueshëm, sepse ia njohim aftësitë e tij dhe atë që mund t’i jap skuadrës tonë.”