Çfarëdo metodologjie “softuerike” ose tjetër që do të aplikohej, si alternativë e “balanserit” që po keqpërdoret me deklarimet e rrejshme, si pikë nismëtare do të duhej të kishte gjendjen e përfaqësimit në total, por dhe të vetë institucioneve të kombinuara me specifikat etnike edhe në mjediset lokale
Nga Daut DAUTI
Një ide me qëllim të mirë. Kështu duhej të ishte krijuar mekanizmi i balanserit, i cili është dashur të korrigjojë përfaqësimin adekuat në administratë. Mirëpo, nuk ka as ligj as kushtetutë, edhe më idealet qofshin, të cilave nuk mund njerëzit t’ua gjejnë dobësinë për t’i keqpërdorur. Ja, kështu duhet të jetë edhe me këtë mekanizmin që e ka ideuar Jahi Jahiu, si vegël administrative që do të përdorej për çdo punësim në administratë. Balanseri një shemë softuerike që kur i fut të kompjuter të dhënat e të punësuarve të një institucioni publik, ta nxjerr me automatizëm sa maqedonas, sa shqiptarë, sa turq, romë, serbë… duhet të punësohen. Ideja dhe qëllimi janë jetësimi i barazisë në punësime, por disa defekte të këtij mekanizmi, dhe keqpërdorimet që nisën të bëhen dukuri masive, si duket e kanë tradhtuar ideatorin.
Kur u themelua Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin të Paktën 20 Për Qind të Qytetarëve, drejtori i ri u gjet në hall të madh. Ajo që këtij institucioni i nevojiteshin ishin kuadro shqiptare, ndërkaq në punësimet e para që duhej t’i bënte, shumicën duhej t’i merrte maqedonas! Një konkurs i dështuar, pastaj përsëri… Këto ditë një konkurs tjetër është interesant, sepse në të, edhe pse të gjithë kuadrot e nevojshme duhet të jenë shqiptarë, balanseri ka nxjerrë strukturën nacionale të tyre si vijon: 7 maqedonas dhe një rom! Në hall udhëheqësi i institucionit, asgjë s’mund të bëjë, gjithçka shkon përmes Agjencisë së Administratës, e atje thonë se kështu e zbatojnë ligjin, “balanceri” e ka nxjerrë ashtu!
Në anën tjetër, gjithnjë e më i madh është numri i maqedonasve dhe të tjerëve, të cilët kanë ardhur në ide origjinale që atje ku kërkohen kuadro të përkatësisë shqiptare, të paraqiten ata ” si shqiptarë! Dhe i plotësojnë kriteret e konkursit, japin provimin për administratorë, për shkak se e dinë gjuhën maqedonase më mirë kalojnë në test dhe kështu punësohen si shqiptarë të rrejshëm në vend të shqiptarëve të vërtetë!
Kur munden, pse të mos e shfrytëzojnë shansin, ose më saktë, zbrazëtinë. Gjëja “më e garantuar” në kuadër të lirive dhe të drejtave të njeriut, është e drejta e deklarimit të përkatësisë etnike. Çdo kush mund të deklarohet si të dojë, si ndihet, apo edhe ashtu siç ka interes! Kush mund t’ia kontestojë dikujt tjetër, kush mund ta dëshmojë se nuk është i tillë çfarë është deklaruar. Ose edhe më saktë, kush ka të drejtë tjetrit t’ia mohojë të deklarohet si të dojë?!
Në gjithë këtë të drejtë deklarimi, ose liri deklarimi, edhe zogjtë e malit e dinë se në disa konkurse të cilat u bënë rrëfenja mediatike është fjala për manipulim. Mediat e aktualizuan, por autoritetet thirren në atë që u tha pak më sipër. Por, problemi u detektua dhe duhet t’i bëhet qarja. Kryeministri ZoranZaev, i cili ma merr mendja se e ka të qartë se ndër shqiptarët e rrejshëm, kanë gjetur strehë një numër i mirë anëtarësh të partisë së tij, bëri një deklaratë të guximshme: të anulohen të gjitha vendet “e zaptuara” të punës me deklarim të rrejshëm të bashkësisë tjetër etnike!
Nëse jemi korrektë, kjo zbrazëtirë ligjore ka kohë që po keqpërdoret duke i mbyllur sytë institucionet. Sepse, punësimet, natyrisht, në një përqindje të lartë bëhen sipas marrëveshjeve midis partive, ose “çelësit” të përfaqësimit ku kombinohen parimi etnik me atë partiak. Dhe nëse “balanseri” në një institucion ka nxjerrë një strukture etnike, partitë punëdhënësi ose institucioni me subjektet tjera, kandidatëve të preferuar ua kanë “sugjeruar” që të deklarojnë përkatësinë etnike sipas përkatësisë që e ka caktuar mekanizmi softuerik! Pastaj askush nuk është ankuar, heshtazi është realizuar, edhe ujku i ngirë, edhe dhentë në numër!
“Balanseri” duhet ta ketë pasur qëllimin që të ndërpresë manipulimet me punësime në administratë në mënyrë të pakontrolluar. Në një vit parazgjedhor para shumë vitesh, VMRO-ja bëri një diversion të vërtetë kur me ligj u dha mundësinë që të punësohen të gjithë aktivistëve që ishin angazhuar me kontrata nëpër institucione. Në këtë mënyrë, edhe ajo rritje që ishte bërë në përfaqësimin e shqiptarëve, me ata mijëra legalizime të kontratave, mund të jetë relativizuar. Mirëpo, autorit as në ëndërr nuk do t’i ketë shkuar mendja se maqedonas do të deklarohen shqiptarë për të zënë vendet e tyre, e diku edhe shqiptarët të deklarohen maqedonas, në institucione ku është e logjikshme që të dominojnë shqiptarët, si Instituti për Trashëgimi Shpëritërore e Kulturore të Shqiptarëve. Nga ajo që është paraqitur si problem, e i cili nuk mund të ndryshojë menjëherë është se çfarëdo ndryshimi në ligjin e balancerit, nuk mund të kontrollohet ose pengohet deklarimi i rrejshëm! Këtë vërejtje duhet ta marrin seriozisht edhe ministrat shqiptarë dhe partnerët e tyre të koalicionit, sepse deklarimi bëhet gjatë regjistrimit të popullatës, hynë në formularë dhe askund pastaj nuk evidentohet në mënyrë elektronike. Pra, nevojitet një deklarim bazë, ose në dokumentet personale, ose në të dhënat personale që si e dhënë mund të nxirret saherë që të kërkohet, njësoj si për certifikatë të lindjes ose ndonjë dokumenti personal. Fundja, një shifër mund të ekzistojë edhe në dokumentet personale. Por, edhe në rastin më të mirë po u ofrua një zgjidhje ligjore, shtrohet pyetja se kur mund të kompletohen të dhënat për çdo qytetar të vendit? Nëse kjo lidhet me nxjerrjen e dokumenteve të reja personale, ajo mund të shkojë më shumë se dy dekada!
Ana tjetër që paraqet mangësi te balanseri, është që ndoshta nuk janë paraparë situatat që në sektorin publik, mund të ketë institucione ku përfaqësimi mund të ketë përjashtime për shkak të specifikave etnike e kulturore. Si në shembullin e ITSHKSH-së ose Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës(…), ku institucionet mbyllin sytë ndaj deklarimeve të rrejshme, duke e ditur se atje ka nevojë për kuadro që e flasin shqipen për shkak të veprimtarisë së tyre specifike
Do të ishte gabim i madh që për shkak të keqpërdorimeve të deritashme, të hiqet tërësisht balanseri, nëse nuk do të gjendej një mekanizëm më efikas që siguron përfaqësim të drejtë. Çfarëdo metodologjie “softuerike” ose tjetër që do të aplikohej, si pikënisëse do të duhej të kishte gjendjen e përfaqësimit në total, por dhe të vetë institucioneve të kombinuara me specifikat etnike edhe në mjediset lokale. Nuk mund të kërkosh përfaqësim të shqiptarëve në Strumicë ose Gjevgjeli në bazë të përqindjes në nivel shtetëror, por as përfaqësim të maqedonasve në Dibër, Tetovë, Çair…, në bazë të përqindjes në shtet. Kurse balancuesi aktualisht pikë nismëtare i ka pikërisht specifikat globale, të cilat pastaj nuk funksionojnë në nivel më të ulët, dhe imponon “nevojën” për keqpërdorime, shpesh me marrëveshje të heshtura!
Prandaj, me të drejtë ideatori i “balancerit”, Jahi Jahiu, ish sekretar i Agjencisë së Administratës sot mund ta ndjejë veten të tradhtuar kur kërkon ndryshime ligjore me të cilat do të pengoheshin manipulimet, edhe pse edhe ai, edhe publiku, janë të vetëdijshëm që nuk ka zgjidhje ideale dhe se shumëçka varet edhe nga vullneti i subjekteve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)