Marrja bardhë e zi e një rregulli që duhej të mundësonte balancë etnike në punësim, me gjasë duhet rishikuar. Balancë duhet pasur sidomos në poste të larta dhe jo thjeshtë në numrin e përgjithshëm të një institucioni. Dhe balancet duhen kontekstualizuar, sepse është poshtërim i përgjithshëm deklaratat për ndjenja etnie të bëhen kur s’ka fare nevojë për këtë. Por mbi të gjitha ka ardhur koha në krye të jetë aftësia
Nga Nazim RASHIDI
Një nga lajmet e “mrekullueshme” të Maqedonisë tonë të Veriut ishte edhe ai i cili thoshte se në një konkurs të Ansamblit për këngë dhe valle popullore shqipe, disa aplikantë duhej një herë të deklaroheshin se “ndihen maqedonas” që pastaj të mund të punësohen. Ose tek konkursi i Operës dhe Baletit, për violë dhe violonçel, maqedonas janë deklaruar se “ndihen shqiptarë” dhe janë punësuar. Ky dokument, kjo deklaratë e shprehjes së ndjenjës së përkatësisë etnie duhet sepse në të kundërt sistemi i punësimit në institucione shtetërore nuk lejon, vini re, nuk lejon punësimet sepse i ashtuquajturi “balancues” përllogarit përqindjet sipas etnisë, pra sa shqiptarë e sa maqedonas apo grupe të tjera etnike janë dhe sa duhet të punësohen nëpër institucionet përkatëse.
Por absurdi i këtij sistemi shfaqet kur ai lihet të funksionojë si robot, pa asnjë sens kontekstualizimi, ose pa asnjë sens logjike dhe humanitet. Kam një imagjinatë, sikur ata që duan të punësohen në administratë, fusin dokumentet në një anë dhe në anën tjetër të ndalur rreth aparatit, si lloj printeri, presin se çdo ju nxjerrë ky robot i tmerrshëm. Janë ose nuk janë të balancuar.
Kulmi i shfaqjes joneskiane që luhet në administratat tona është fiks një teatër absurd sepse edhe për orkestra e këngëtarë një herë duhet sistemi të të thotë “po”, e pastaj të punësohesh. Por jo sipas aftësisë, por përkatësisë etnike. Por çështja megjithatë nuk duhet parë edhe me aq lehtësi sepse edhe për një situatë të tillë absurde duhet shpjeguar konteksti, por më shumë edhe sugjerimi për zgjidhje. Shumë prej nesh qeshën me lajmin e mësipërm, sepse sigurisht është budallallëk, që institucionet mos kenë mundësi të ndërhynë e të shpjegohen se në konkurse tejet specifike si ato për këngëtarë e instrumentistë, nëse nuk arrihet dot balanci etnik, sepse thjeshtë nuk arrihet dot, punëkërkuesit të detyrohen të bëjnë deklarata që duken që nga qesharake e deri ofenduese. Deklaratat se mu nga ai moment “ndihen” diçka tjetër për të plotësuar një kriter administrativ, janë ofendim jo vetëm ndaj pjesëmarrësve në konkurs, por gjithë neve dhe vetë idesë për balanc.
Ky sistem kaq robotik i vendosur si nevojë për të rritur dhe mundësuar përfaqësim të duhur në administratë ka qëllimin e mirë. Me këtë sistem në shumë institucione janë punësuar shumë jo maqedonas mu për faktin se pikërisht ai sistem ka thënë “po”. Megjithatë qesharakja fillon kur merret si ligj e kushtetutë që s’duhet të preket. Dhe nëse qeshim për punësimet me artistët, para disa muajsh kisha irritim, kur një punonjëseje në administratë, e zonja, me kualifikime të rralla, e trajnuar dhe profesionalizuar jashtë vendit, shqiptare, ky balancues i frikshëm, nuk i lejonte të ngrihej në detyrë, sepse në atë institucion kishte pasur shumë shqiptarë dhe posti më i lartë duhej t’i takonte një tjetri. Edhe në këtë rast asnjë ndërhyrje logjike institucionale nuk bëhej dot sepse sistemi i frikshëm nuk lejonte një gjë të tillë. Marrja bardhë e zi e një rregulli që duhej të mundësonte balancë etnike në punësim, me gjasë duhet rishikuar.
E para që mendoj se duhet të bëhet është se çdo institucion përveç përqindjes të të punësuarve duhet më të fillojë të nxjerrë edhe përqindjet etnike të atyre në poste të larta e drejtuese. Balanci është bajat kur për shkak të numrit të madh shqiptarësh si shoferë (me gjithë respektin ndaj tyre), për shembull, të mos mund të përparojë në detyrë një inxhinier, sepse sistemi s’do e lejojë këtë gjë. Nëse veç funksionojmë në sistem balancimi, atëherë balancet duhet të vihen edhe në rrafsh horizontal. Administrata është e ndarë me grada punësimi. Atëherë ky sistem aq robotik duhet të sofistikohet që balancet mos t’i përqendrojë vetëm tek numrat e përfaqësuesve etnik në një institucion, por edhe tek rangjet.
Mbi të gjitha, sistemit duhet t’i jepet një element të njerëzores dhe logjikës të shëndoshë dhe ajo është se këto rregulla janë vënë për të ndihmuar më pak të përfaqësuarit në administratë. Një institucion burokratik e administrativ, i cili në tregun e punës nuk e ka të vështirë të gjejë punonjës, nuk duhet të mos e ketë shqetësim që mos krijojë balancin e mirëpërfaqësimit. Por pas këtij balanci numerik dhe rangor, nëse për shkak të aftësisë dhe specifikave të kandidatëve rritet për shembull numri i shqiptarëve më shumë se 30 për qind, pse kjo duhet të jetë problem?
Ideja në asnjë moment nuk ka qenë që një sistem të krijojë penalizime shtesë. I tillë ishte rasti i asaj ekspertes të rrallë, e cila me vite nuk punësohej dot në administratë sepse shqiptarët s’kishin akses në institucione, që tani sepse është shqiptare nuk avancohet dot sepse nuk e le dot balancuesi. Në fakt ky rast duhet të jetë leksioni dhe nxitja se pse sistemi duhet rishikuar e bërë më logjik. Çështja e balancuesit përqeshet shpesh. Por më shumë nga ata që se kanë kuptuar dhe refuzojnë ta kuptojnë kohën kur të ishe shqiptar, por edhe etni tjetër, as që arrije të konsideroheshe për punësim në administratë. Ky realitet dhe sigurisht zhvillimet politike që nga Marrëveshja e Ohrit e deri sot, bënë që të krijohet sistemi i përfaqësimit të drejtë. Nëse do të tallet ky sistem pa ndjeshmërinë dhe pranimin se administrata e mëparshme ishte diskriminuese, atëherë s’kemi bërë gjë. Është koha mbase që sisteme e rregulla të tilla për kujdesin dhe ndjeshmërinë për përfaqësim të duhur të jenë normalitet. Kur kjo të jetë normë, pra sigurisht që fokusi do të jetë tek cilësia.
Asnjë nuk ka dyshim se si shoqëri na duhet profesionalizëm. Por kur njerëzit që drejtojnë sistemin do ta kenë kuptuar se të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë kanë akses të njëjtë dhe të gjithë ndihen të përfaqësuar siç duhet, atëherë ndërhyrja te ky sistem me logjikë s’do jetë fare problem. Që në rastet në fjalë do të thotë, është krejt normale që këngëtari të jetë shqiptar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqipe, sepse asnjë maqedonas s’ka konkurruar dhe nuk ndihet njohës i këtij repertori. Ose është krejt normale që në konkursin për violinist të punësohet ai që e ka këtë zotësi specifike, sepse të tjerë as që kanë konkurruar. Siç do ishte krejt normale që një specialiste e fushës të përparojë në rangjet e administratës, pavarësisht se çfarë thotë balancuesi, sepse ajo e meriton këtë me aftësinë që ka. Por e gjitha bien në ujë kur në rrethana të tjera, në ansamblin e këngëve dhe valleve do të kishte realisht këngëtarë maqedonas që duan të mësojnë dhe këndojnë shqip, apo në konkursin për violist do konkurronin edhe shqiptarë edhe maqedonas por po aq të mirë, ose në rastin e specialistes që më shumë se çdo gjë tjetër se le të përparojë politika. E kur jemi te kjo e fundit, që ndërhyn kudo, e dimë pastaj se kush i bën gjithë këto “mrekullira”.
Pavarësisht, balancuesi ose ajo normë e përfaqësimit të drejtë duhet avancuar. Balancë duhet pasur sidomos në poste të larta dhe jo thjeshtë në numrin e përgjithshëm të një institucioni. Dhe balancet duhen kontekstualizuar, sepse është poshtërim i përgjithshëm deklaratat për ndjenja etnie të bëhen kur s’ka fare nevojë për këtë. Por mbi të gjitha ka ardhur koha që në krye të jetë aftësia.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)