Bekim Balaj dhe Odise Roshi nuk po kalojnë momente të mira me ekipin e Akhmat Gronzi në Rusi. Ata vijojnë të mos aktivizohen rregullisht në ekip. Gjendja duket më problem për Bekim Balaj, i cili u rikthye nga një dëmtim i gjatë që pati në gju, por ende nuk po arrin të bëhet pjesë e formacionit në ekipin e drejtuar nga Oleg Kononov.
Madje në ndeshjen e fundit, që Akhmat Gronzi luajti ndaj Spartakut të Moskës, të cilën e humbi me rezultatin 1-2, Bekim Balaj nuk ishte fare i grumbulluar. Ndërkohë fieraku Odise Roshi, ndryshe nga Balaj, ishte pjesë e listës së lojtarëve të grumbulluar, por nuk u aktivizua për asnjë minutë. Herën e fundit që Balaj luajti me Akhmat Gronzi, ishte në ndeshjen kundër Rubin Kazanit, ku shkodrani u fut si zëvendësues në vend të lojtarit të përfaqësuese se Kosovës, Bernard Berisha. Ky i fundit është i vetmi, nga tre lojtarët shqiptar, që aktivizohet rregullisht tek ekipi rus. Ndërsa edhe pse në gjendje të mirë, Odise Roshi dhe i rikthyeri nga dëmtimi Bekim Balaj, po gjejnë gjithnjë dhe më pak hapsira tek ekipi rus.
Madje dhe në videon e fundit të publikuar nga seanca stërvitore, para ndeshjes së ardhshme ndaj Ural, Odise Roshi dhe Bekim Balaj nuk duken në asnjë plan të videos, veç Bernard Berishës, që duket se ka simpatinë e trajnerit Kononov. Nuk dihet saktësisht arsyeja pse Bekim Balaj dhe Odise Roshi nuk po aktivizohen me Ahkmat Gronzi nga trajneri Oleg Kononov, por nëse dy yjet kuqezi vijojnë në këtë gjendje, gjasat janë që së shpejti dy shqiptarët të kërkojnë ekipe të tjera. Ekipi rus i Akhmat Gronzi ka zhgënjyer deri tani në kampionatin rus. Ata mbajnë vendin e 9 në klasifikimin e përgjithshëm, shumë larg vendit të parë dhe zonës së europës.