Korentin Tolisso është i qetë për karrierën e tij, sepse e di që Bajerni është vendi i duhur për të. I transferuar në verën e kaluar për 41,5 milionë euro nga Lioni, mesfushori në një intervistë për revistën “Sport Bild” ka shprehur edhe një herë ndjenjat e tij të para si bavarez, duke theksuar se ka pasur oferta më të majme.
“Kalova te Bayern, sepse e ndjeva se ky ishte hapi i duhur për karrierën time dhe sepse këtë klub e admiroj që kur isha fëmijë. Për mua këto ishin më të rëndësishme se të fitoja më shumë para diku tjetër”, – ka thënë francezi.
“Unë vij nga një fshat i vogël në Francë, Thizy, ku jetojnë ende gjyshërit e mi. E di se nga vij dhe kështu do të qëndroj. Ky është karakteri im, kështu më kanë rritur prindërit”, – ka shtuar ai. Tolisso ka plot shembuj në historinë e Bajernit për rolin e tij si mesfushor. “Sigurisht, ka plot emra që mund të përmend. Toni Kroos, Bastian Shvainshtaiger. Kur isha i vogël, pëlqeja gjithashtu Mihael Ballakun. Ai ishte lojtar i madh dhe me personalitet. Por lojtari që admiroj më shumë është Frank Riberi”, – ka përfunduar 23-vjeçari.