Bajern Munih – Real Madrid do të jetë sfida e dytë gjysmëfinale e Ligës së kampionëve. Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Allianz Arena”, ora 20:45, ndërsa aktorët e ndeshjes pritet tu ofrojnë tifozëve të tyre dhe dashamirëve tjerë të futbollit, një futboll cilësor, i cili do të arsyetojë edhe epitetin që iu dha kur shorti vendosi të vë përballë atë në gjysmëfinale, pra finale para finales.
Ndryshe, trajneri i bavarezëve Jupp Hejnkes beson se skuadra e tij është mjaftueshëm në formë për të bërë një paraqitje të mirë. “Nuk mund të them nëse këto ditë ekstra që Real ka pasur në dispozicion janë të rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme kur nis ndeshja është të jesh i përgatitur 100 për qind psikologjikisht, gati për t’u përballur me një ekip kampion si Reali. Unë i kam të gjithë lojtarët në dispozicion para këtij takimi me Realin dhe jemi të fokusuar te kjo përballje që do të luajmë para fansave tanë. E rëndësishme është që të fitosh gjithnjë para një ndeshje në Çampions. Luajmë çdo 3 ditë prej një kohe të gjatë dhe jemi mësuar me këtë ritëm, ndaj jemi të përgatitur dhe këtë gjë do ta tregojmë në fushë”, tha Henkes. Derisa, mbrojtësi qendror i Bajernit, Zherome Boateng, thotë në një intervistë për revistën “Kicker” se Kristiano Ronaldo është sulmuesi më i kompletuar i mundshëm. Madje, për yllin portugez të Real Madridit, ai mendon se në aspektin e golashënuesit është “si një makinë”. “Asnjë sulmues nuk mund të jetë më i kompletuar se Kristiano. Finalizon djathtas e majtas, shënon me kokën e tij dhe çdo gjë e bën në mënyrë të përkryer. Dhe në aspektin e shënimit është si një makinë”, thotët Boateng. Sipas tij, Bajern Munih mund ta kushtëzojë e minimizojë efektivitetin e KR7, nëse funksionon si ekip, por është i vetëdijshëm se bashkë me të tijtë nuk mund ta neutralizojnë krejtësisht. “Ju nuk mund ta neutralizoni krejtësisht, sepse gjithmonë arrin të krijojë shanse në një ndeshje, sepse ai ka një ndjenjë të shkëlqyeshme të largimit. Pra, është e rëndësishme që të jemi kompaktë si ekip, për t’i lejuar sa më pak hapësirë që është e mundur një goleadori si ai”. Boateng është përballur me kristiano Ronaldon me kombëtaren gjermane, edhe me BaJern Munihun. “Kemi përvoja pozitive dhe negative me të. Me kombëtaren, pothuajse gjithmonë kemi arritur ta neutralizojmë, si në fitoren 4-0, në Kupën e Botës 2014. Me Bajern Munihun nuk na ka ecur aq mirë. Sidoqoftë, Real Madridi nuk është vetëm Ronaldo. Edhe lojtarët e tjerë janë shumë të mirë”, deklaroi Boateng.
Për sfidën ndaj Realit, austriaku në radhët e Bajern Munihut, David Alaba po vuan nga problemet në kofshë dhe e humbi stërvitjen e djeshme. Mbrojtësi i krahut të majtë u lëndua javën e kaluar, në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë kundër Bajer Leverkusen dhe nuk luajti dot të shtunën, ndaj Hannoverit. Nëse edhe sonte nuk do të jetë gati, vendi i tij do të zihet nga braziliani Rafinja. Ndaj Realit nuk do të luajnë Nojer, Vidal dhe Koman, të gjithë të lënduar. Pikëpyetja e madhe është nëse Tiago Alkantara do të ketë një vend në mesfushë.
Ndërkohë, Real Madrid ka udhëtuar drejt Munihut me të gjithë lojtarët e ekipit të parë. Si zakonisht, në angazhimet e fundit evropiane, Zinedin Zidan ka merr me vete 23 lojtarë, duke përfshirë në listë edhe të birin e tij, Luka Zidan, si portier i tretë. Gjithashtu, me skuadrën ka udhëtuar Naço, edhe pse mbrojtësi është i dëmtuar që nga 31 marsi dhe ditët e fundit është trajnuar veçmas.