Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) njoftoi se Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë pranuar të hapin një pjesë të hapësirave të tyre ajrore për linjën ajrore të Katarit, Qatar Airways. Bahreini dhe EBA kanë hapur disa korridore ajrore për Qatar Airways, ndërsa në mesin e këtyre gjenden edhe korridorë të përkohshëm dhe emergjentë, njoftoi Anthony Philibin, zëdhënësi i ICAO-s, organizatë kjo me bazë në Montreal të Kanadasë.
Siç njoftohet, ICAO ka punuar që nga 5 qershori me shtete të ndryshme të Lindjes së Mesme për të siguruar korridor ajror për Qatar Airways. Vendimi vjen pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të ICAO-s në Montreal në fund të muajit të kaluar, pasi Katari paraqiti një ankesë në këtë organizatë.
ICAO u kishte bërë thirrje shteteve në fjalë ta respektojnë Marrëveshjen e Çikagos (Marrëveshja e Aviacionit Civil Ndërkombëtar) dhe të vazhdojnë bashkëpunimin për mbarëvajtjen e aviacionit civil. Në lidhje me këtë thirrje, Xhasim al Saliti, ministri i Transportit dhe Komunikimit i Katarit, ishte shprehur se Katari “ka shënuar progres duke i detyruar shtetet që kanë vendosur bllokadë ta respektojnë marrëveshjen”.
Ai po ashtu kishte theksuar se shtetet në fjalë kishin bërë diskriminim duke i bllokuar hapësirën ajrore Katarit dhe në këtë mënyrë kanë shkelur Marrëveshjen e Çikagos. Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të grupeve terroriste”. Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.