Bagëtitë shiten vend e pavend

Tregu i mëparshëm ku dibranët dhe blegtorët e komunave për rreth Dibrës shitnin dhe blinin kafshët shtëpiake, tani është përplot shtëpi banimi dhe që atëherë pushtetet vendore nuk kanë përcaktuar lokacion të dedikuar për tregtimin e kafshëve shtëpiake

Vjollca SADIKU

Dibër, 9 maj – Më se tre dekada në Dibër nuk funksionon tregu i kafshëve. Tregu i mëparshëm ku dibranët dhe blegtorët e komunave për rreth Dibrës shitnin dhe blinin kafshët shtëpiake, tani është përplot shtëpi banimi dhe që atëherë pushtetet vendore nuk kanë përcaktuar lokacion të dedikuar për tregtimin e kafshëve shtëpiake. Është një problem i cili shqetëson një kohë të gjatë pronarët e  kafshëve shtëpiake meqë ata janë të detyruar që shitjen e kafshëve ta realizojnë në disa pjesë të qytetit të cilët nuk janë të preferuara nga qytetarët.

Advertisements

Ky problem ka qenë dhe vazhdon të jetë temë debati sidomos në qarqet të blegtorëve. Mungesa e tregut ka detyruar shpeshherë blegtorët për shitjen ose blerjen e kafshëve shtëpiake të udhëtojnë edhe në fshatrat e Dibrës por edhe të komunave për  rreth. Për këtë problem biseduam me disa blegtor të cilët theksojnë se është një problem serioz që duhet të zgjidhet nga ana e pushtetit lokal.  Blegtor të familjes Ame theksojnë se ata më shumë se pesë gjenerata merren me blegtori. Të parët e tyre – prindërit dhe gjyshërit kanë treguar se tregu i kafshëve shtëpiake në Dibër ka qenë një vend  ku janë shitur dhe blerë kafshë jo vetëm nga komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë- Rostush por edhe nga Struga , Gostivari, Tetova etj. Ka qenë një treg i cili ka patur edhe karakteristikat e tij që kanë të bëjnë me kualitetin e kafshëve shtëpiake. Por siç thonë ata para tre dekadave tregu është braktisur dhe kompetentët lokal atë kohë kanë lejuar që ky lokacion të përdoret si tokë ndërtimore. Mungesa e tregut shkakton probleme të shumta, theksojnë familjarët e fisit Ame të cilët tradicionalisht merren me blegtori. Tani siç thonë ata në mungesë të tregut shitja e kurbaneve kryesisht bagëtisë së imët bëhet për fat të keq në qendër  të qytetit. Lokacioni ku shiten dhentë, në prag të festës së Kurban Bajramit është mes Qendrës të kulturës dhe xhamisë të Sahat Kullës. Kjo flet për problemin në fjalë, meqë as nga aspekti i higjienës publike nuk duhet të tolerohet kjo mënyrë e shitjes së kafshëve shtëpiake. Të njëjtat burime thonë se për të shitur apo për të ble një lopë blegtorët duhet të enden lart e poshtë duke shëtitur pjesëve periferike të qytetit por edhe fshatrave të Dibrës, Zhupës dhe Rekës.

Mungesa e tregut të kafshëve në Dibër ka qenë temë debati shumë herë edhe nga anëtarët e shoqatës së blegtorëve. Ata thonë se Dibra duhet të përcaktoj një lokacion për shitjen dhe blerjen e kafshëve. Kryetari i këshillit të komunës Dibër Fuat Spahiu thotë se edhe ai përkrah shqetësimet e blegtorëve. “Do të ndërmarrim aktivitete si këshilli i komunës Dibër për të përcaktuar një lokacion që do të jetë tregu i kafshëve shtëpiake në Dibër. Me këtë aktivitet faktikisht do të zgjidhim një problem që kanë blegtorët e Dibrës dhe rajonit më të gjerë”, thotë kryetari i këshillit Fuat Spahiu. Rreth shitjes të bagëtive në vendet e ndryshme të qytetit shpesh herë kanë reaguar edhe shoqatat qytetare të cilët potencojnë se ashtu siç ka qenë më parë kur Dibra ka patur tregun e  kafshëve shtëpiake duhet ta kenë një lokacion të këtillë edhe tani. (koha.mk)