Kryeministri irakian Hajder al Abadi sot deklaroi se zgjidhja e vetme e pranueshme për Qeverinë e Bagdadit është që Kurdistani i Irakut ta shfuqizojë referendumin për pavarësi, që u mbajt më 25 shtator. Autoritetet në Erbil propozuan ngrirje të vendimit për pavarësi, në kushte kur Armata e Irakut i shtyp forcat e tyre të armatosura, duke hyrë përmes kufijve të Kurdistanit Irakian.
“Ne nuk do të pranojmë asgjë tjetër përveç shfuqizimit të referendumit dhe respektimit të Kushtetutës”, deklaroi Al Abadi. Kurdistani i Irakut propozon armëpushim urgjent dhe fillim të dialogut mes autoriteteve në Bagdad dhe Erbil.