Shkup, 15 maj – Plasmani në finalen e Kampionatit Evropian për kadet në mundje, i cili po mbahet në Shkup, nuk e ka gëzuar vetëm Besir Alilin, klubin e tij “Liria” apo tifozët e tij, por ka gëzuar edhe stafin teknik me në krye trajnerin e përfaqësueses së Maqedonisë, Sedat Baftiu. Për gazetën KOHA, Baftiu ka shprehur emocionet e tij pas plasmanit në finalen e madhe në kategorinë deri 45 kilogram.
“Jam tepër i kënaqur me plasmanin në finale të Besirt. Ai edhe njëherë dëshmoi se me luftërat që i bëri, posedon kualitet të arrin edhe në garat ndërkombëtare. Besoj se nëse vazhdon kështu të punojë me seriozitet, do të arrijë rezultate edhe tjera e nuk do të ngelet vetëm me këtë rezultat”, shprehet për gazetën KOHA, Baftiu, i cili është edhe trajner te KM “Liria”, klubit më të suksesshëm në vendin tonë.
“Me Besirin kemi punuar shumë, jo vetëm unë pasi trajner personal e ka pasur Sufijan Ismailin. Një muaj bashkë edhe me mundësit tjerë, kemi qenë në përgatitje këtu në Shkup. Kemi zhvilluar përgatitje maksimale, ndërsa më duhet të pranojë se na kanë munguar garat ndërkombëtare, sepse nuk kemi pasur kohë të marrim pjesë. Megjithatë siç e patë, arritëm në fund”, shtoi më tej Baftiu.
Në finalen e madhe të cilën Besiri do të zhvillojë sot në ora 18.00 kundër mundësit armen Rafayel Harutyunyan, Baftiu pret medaljen e arit.
“Unë nga Besiri sot pres të tregon një luftë të mirë, njëjtë siç e bëri në dy luftërat e para dhe të stoliset me medaljen e arit, edhe pse mundësi armen nuk është për tu nënçmuar”, përfundoi Sedat Baftiu, seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë për kadet.
Në fund Baftiu falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për këtë rezultat, posaçërisht Federatën e Mundjes me në krye kryetarin Betim Vrenezi, kryetarin e KM “Liria”, Imer Kadriovski dhe gjithë stafin teknik te klubit. (B.KURTAJ)