Recensenti Stefan Çapaliku u shpreh se autori gjatë studimit, Ramiz Kelmendin e studion me mjete globale
Tetovë, 19 qershor – Profesori Hashim Baftiari në qendrën “Loja” në Tetovë ka promovuar tri veprat e tij të titulluara “Ramiz Kelmendi – humorist dhe satirik”, “Njëqind Poezi Dashurie” që janë përzgjedhje nga letërsia botërore dhe “Kjo Dashuri”, poezi dashurie të gjuhës frënge.
Autori shprehet se dy librat me poezi janë financuar nga ana e Ministria e Kulturës, ndërsa në librin “Ramiz Kelmendi – humorist dhe satirik”, autori i ka bërë një studim, pasi ky punim ka qenë tezë e magjistraturës në vitin 2013 në Universitetin e Tetovës. Ky libër është botuar më herët, ndërsa kësaj radhe vjen si ribotim.
“Vepra e Ramiz Kelmendit paraqet pa dyshim një rast interesant dhe intrigues për studimet albanologjike. Studimi i saj është sfidë e një lloji të veçantë, edhe për shkak të mungesës së ndjeshme të literaturës teorike mbi humorin dhe satirën në letërsi dhe në përgjithësi – si kategori estetike”, thotë autori. Sipas tij, Ramiz Kelmendi me krijimtarinë humoristike dhe satirike, pa dyshim që sjell risi në aspektin stilistik, por edhe e pasuron letërsinë humoristike dhe satirike shqipe edhe ashtu mjaft të varfër.
“Edhe pse proza humoristike dhe satirike nuk përbën krejt krijimtarinë letrare të Ramiz Kelmendit, ajo është pjesa më intriguese, mbase edhe më e rëndësishme e tij. Zhanri që e kultivon më së shumti dhe që i ngjit Kelmendit është tregimi. Ai është cilësuar nga kritika ‘tregimtar i lindur’. Tregimi është zhanri epik ku Ramiz Kelmendi sendërton veten si shkrimtar i shquar i letrave shqipe. Nëse vepra e parë satirike e autorit lidhet ekskluzivisht me një periudhe historike jo fort të largët, pjesa tjetër e veprës humoristike dhe satirike e autorit – edhe pse është dëshmi e një kohe dhe e një vendi të caktuar, megjithatë me tematikën dhe vlerat artistike do të mbetet e përjetshme: derisa të mos zhduken veset në shoqërinë tonë”, shprehet Baftiari. Recensenti Stefan Çapaliku u shpreh se autori gjatë studimit, Ramiz Kelmendin e studion me mjete globale.
“Duke e konsideruar me të drejtë shkrimtarin Ramiz Kelmendi si një fenomen lokal, Hashim Baftiari e studion atë me mjete globale. Metodikisht, ai aftësohet kështu për të përballuar studime më të gjera dhe më të thella në fushë të satirës dhe humorit. Të bën përshtypje veçanërisht njohja që autori ka mbi doktrinat estetike mbi komiken, si një kategori shprehëse e një inteligjence të rrallë letrare, me të cilën autorët e pakët shqiptarë kanë shndritur në panteonin e letrave shqipe. Gjithashtu, Hashim Baftiari njeh mjaft mirë edhe zhvillimin dhe modat nëpër të cilat ka kaluar komikja ndër shekuj letrarë. Por Baftiari nuk harron t’ i kushtojë një vend të veçantë edhe kushteve historiko-politike nëpër të cilat është lindur, vaditur dhe selitur vepra e Ramiz Kelmendit”, shkruan Çapaliku.
Në promovimin e tre veprave kanë marrë pjesë shumë profesorë, personalitete nga jeta politike dhe shoqërore nga Maqedonia, Kosova, Presheva dhe Shqipëria. Deri më tash autori Hashim Baftiari ka botuar pesë vepra. (koha.mk)