Shkup, 22 qershor – Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, sot e publikoi konkursin për parashtrim të kërkesës nga Programi për zhvillim rural për masën 131 “Bashkim ekonomik i ekonomive bujqësore për kryerje të veprimtarisë bujqësore”.
Siç kumtojnë nga Agjencia, në këtë konkurs mund të paraqiten të gjitha kooperativat bujqësore të cilat janë të regjistruara në Regjistrin e kooperativave pranë Minsitrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në pajtim me Ligjin për kooperativa bujqësore.
Mjetet nga ky Program janë të pakthyeshme, ndërkaq mund të përdoren për themelim dhe funksionim të kooperativave bujqësore, për mbulim të shpenzimeve themelore – kapacitete administrative dhe teknike, për angazhim të personave ekspertë, për rrogë mesatare të drejtuesit të paguar në veprimtari në vitin paraprak, si dhe për angazhim të një të punësuari nga sfera e shkencave bujqësore dhe veterinarisë.
Në pajtim me kushtet e parapara për këtë masë, vitin e parë mbulohen 100 për qind të shpenzimeve të pranueshme të kooperativës prë rroga me ulje prej 20 për qind për çdo vit të ardhshëm jo më gjatë se pesë vite.
Një shfrytëzues mund të parashtrojë vetëm një kërkesë për një masë, apo më së shumti dy kërkesa për masa të ndryshme, duke i marrë parasysh edhe masat e tjera të Programit për mbështetje financiare në zhvillimin rural për vitin 2019.
Afati i fundit për parashtrim të kërkesave për pagesë sipas këtij konkursi publik për gjysmëvjetorin e parë është më së voni deri më 15 korrik të këtij viti dhe 15 janar të vitit 2020 për gjysmëvjetorin e dytë. Kërkesat e parashtruara pas atij afati nuk do të shqyrtohen.