Pragë, 12 shtator – Kryeministri i Çekisë, Andrej Babish sot në Pragë deklaroi se nuk sheh arsye se pse vendi i tij do ta tërhiqte njohjen e Kosovës.
Babish e deklaroi këtë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrat e vendeve të Grupit të Vishegradit, duke e komentuar paralajmërimin e presidentit çek Millosh Zeman se këtë çështje do ta vendos për një muaj, në takimin e autoriteteve kushtetuese në Pragë.
“Deklarata dhe mendimi i Zemanit nuk është asgjë e re”, tha Babish, duke theksuar se presidenti i Çekisë këtë e thotë që nga viti 2013.
“Definitivisht do të bisedojmë për atë, edhe pse nuk shoh arsye se pse Çekia do ta ndryshonte qëndrimin e vet për këtë çështje”, tha Babish.
Presidenti çek Millosh Zeman dje në Beograd, deklaroi se për një muaj në takimin e autoriteteve kushtetuese në Pragë, do ta shtrojë çështjen për atë nëse është e mundur të tërhiqet njohja e pavarësisë së Kosovës.