Moise Kin është një nga futbollistët që ka pushtuar faqet e gazetave ditët e fundit në Itali. Pas golit të shënuar me fanellën e kombëtares, ai është në qendrën e vëmendjes së mediave të gadishullit apenin.
Bioru Kin, i ati i lojtarit të Juventusit ka dhënë një intervistë për “Rai Radio 1”, ku ka çuditur jo pak me gjërat që ka thënë.
“Moise ka qenë tifozë me Interin sepse pëlqente Oba Oba Martins. Kur isha duke bërë një xhiro me të, im bir më tha: “Të lutem me bli një fanellë të Martins”. Më vonë djali im nisi të luante me fanellën e Torinos”, ka thënë i ati i Kin.
Më tej ai ka deklaruar dashurinë e tij për Juventusin: “Unë e dërgova te Juventusi pasi unë jam një tifoz bardhezi. Unë do ta dua përgjithmonë Juven, e cila është në gjakun tim. Unë jam i zi dhe gjaku im i bardhë”.
“Kin tashmë ka lojtar të preferuar Balotelin edhe pse tashmë i kam thënë mos ta imitojë atë në çdo gjë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq i ati i Kin ka dhe disa pakënaqësi ndaj Juves. “Unë kam një problem me klubin, pasi ata nuk më japin bileta për të shkuar në stadium. Unë me nënën e Moise jemi ndarë. Ajo në të kaluarën donte ta merrte djalin në Angli, por unë e bëra të qëndronte në Itali. U kërkova dy traktorë në këmbim dhe ata nuk m’i dhanë, siç nuk më japin bileta”.