Babai i Neymarit, Neymar Santos Sr. i ka quajtur të rreme lajmet se i biri i tij është duke u përgjëruar të kthehet në Barcelonë. Mediat botërore, ato në Spanjë në veçanti, kanë raportuar vazhdimisht se Neymari mund dhe dëshiron të kthehet në La Liga, dhe ato të së premtes e kanë detyruar babanë e tij të reagojë në rrjetet sociale, duke mohuar çdo gjë, transmeton Gazeta Express.
Ai u largua nga gjiganti katalonas në verën e vitit 2017 për një shumë rekord absolut botëror, 222 milionë euro. El Mundo raportoi sot se Neymar është duke u përgjëruar të kthehet në “Camp Nou”, duke pohuar se i ka telefonuar drejtuesve të klubit plot pesë herë për t’ia mundësuar kthimin. Sipas El Mundo, 26-vjeçari e ka shprehur zhgënjimin dhe pendesën për largimin nga Spanja. Por, Neymar Santos Sr. megjithatë, i ka hedhur poshtë këto lajme përmes një postimi në rrjetet sociale.