Babai i Nejmar është kthyer për të spekuluar me të ardhmen e djalit të tij, Nejmar, ylli brazilian i PSZH-së. Prania e tij në Brazil, ku po negocion nënshkrimin e Lukas Lima nga Palmeiras, i ka lejuar një takim me gazetarë, në të cilin, ndër të tjera, foli për të ardhmen sportive të Nejmar. Në një intervistë të dhënë për “Fox Sports”, babai i Nejmar nuk e ka mbyllur derën e një lëvizjeje të mundshme të sulmuesit brazilian në një të ardhme jo shumë të largët. “Gjërat ndryshojnë aq shumë, sa ju nuk mund të garantoni asgjë. Tani për tani nuk ka mendim për ta lënë PSZH-në. Kjo shërben vetëm për të ushqyer disa thashetheme, të cilat nuk janë të mundshme. Unë nuk mund të flas për çfarë mund të ndodhë në pesë apo gjashtë vjet. Nejmar ka një kontratë me PSZH-në dhe sapo ka ardhur në klubin francez, kemi vetëm tre muaj…”, – tha babai i Nejmar. Edhe pse rikthimi i tij në futbollin spanjoll duket i vështirë për shkak të procedurave ligjore të Nejmarit me drejtësinë spanjolle, babai-menaxher nuk e mohoi mundësinë e nënshkrimit me Real Madridin një ditë. Më kufizues ishte kur u pyet për një kthim të mundshëm në futbollin brazilian: “Nejmar vështirë se do të largohet nga Evropa në këto tetë vitet e ardhshme. Unë nuk e shoh atë të largohet dhe të kthehet në Brazil. Mendoj se ka ende dhjetë vjet futboll në Evropë”, deklaroi babai i yllit brazilian.